Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se është arrestuar njëri nga aktivistët e tyre, në Aeroportin e Prishtinës.
Bëhet fjalë për aktivistin Flamur Arifaj, i cili po nisej për një vizitë private në Itali. Aktivisti Arifaj është ndalur dhe arrestuar për shkak të aksionit të rrotullimit të xhipave, i vitit 2009, për të cilin rast Policia ka arrestuar disa herë aktivistët, përfshirë edhe vetë aktivistin Flamur Arifaj, bëhet e ditur nga njoftimi i LVV’së.
VV ka shkruar se me arrestime të tilla, Policia dëshmon se është instrument i pushtetit që ka kapur të gjitha institucionet.
‘Me arrestimet e tilla, Policia po dëshmon se është vetëm instrument i pushtetit që ka kapur të gjitha institucionet. Në vend që aktiviteti i saj të jetë për të vendosur rend e ligj në vend, ajo shpesh shkel vetë ligjet, për të përmbushur porositë e klanit kriminal “Pronto”. Duke mos luftuar strukturat paralele që cenojnë shtetësinë e Kosovës çdo ditë, e duke u marrë me raste të aktivistëve tanë – të para disa viteve – që lidhen me aksione simbolike në mbrojtje të Republikës, po vërtetohet se Policia drejtohet nga një skemë e njerëzve që janë vegla të mafiozëve të pushtetit’, thuhet në njoftimin e tyre./gazetametro.net