Eurodeputetja socialiste greke, Eva Kaili, një nga 14 nënkryetaret e Parlamentit Evropian, u morr në pyetje dhe më pas u arrestua prej policisë belge të premten në mbrëmje në lidhje me dyshimet për korrupsion që përfshin “një vend të Gjirit”.
Katër arrestime të tjera ishin bërë tashmë në kryeqytetin belg në mëngjes për të njëjtin rast. Mediat në Greqi dhe Belgjikë raportuan se një nga katër të arrestuarit është partneri i Kailit.
Partia socialiste greke PASOK, anëtare e së cilës është 44-vjeçarja, njoftoi të premten në mbrëmje se ajo ishte “përjashtuar” nga anëtarësia e saj, raporton euronews.
Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës tha se gjeti 600 mijë euro para në dorë dhe sekuestroi kompjuterë e telefona celularë.
Ai tha se hetimi ishte përqendruar te asistentët e parlamentit evropian, por një ish-deputet ishte marrë në pyetje.
Sipas gazetës belge Le Soir hetimi ka të bëjë me korrupsion të ndërlidhur me shtetin e Katar. 17 lokacione janë bastisur në Bruksel të premten nga policia belge dhe pesë janë ndaluar nën dyshimin për korrupsion dhe ndikim në politikat e bllokut evropian të ndërlidhur me Katarin. Si dyshim përflitet edhe shpërlarja e parave.