Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shqipërisë në pikën kufitare të Morinës, pasi ishte shpallur në kërkim për terrorizëm.
Sipas burimeve zyrtare, strukturat e Policisë së Shtetit në kuadër të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë si dhe parandalimit të ngjarjeve kriminale, terroriste gjatë kryerjes së veprimeve operacionale me metoda speciale bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e një personi në kërkim, shtetasit kosovar Enos Begolli, 30 vjec, lindur dhe banues në Mitrovicë Kosovë.
Ai kërkohej nga autoritetet kosovare pasi është i dënuar me 4 vite burg në mungesë.
“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare, pasi ka qenë i dënuar nga ky shtet me 4 vite burg, si i dyshuar se ka qenë luftëtar në Siri si pjesëtar i ISIS. Pas kryerjes së procedurave ligjore nga ana jonë ky shtetas iu dorëzua strukturave të policisë së Kosovës nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, Kukës”, sqaron Policia e Shtetit.
Operacioni u zhvillua në Morinë-Kukës nga strukturat e Antiterrorit, Policia Kufitare dhe D.V.P. Kukës, njoftoi policia./gazetametro.net