Arqipeshkvi i Selisë së Shenjtë, monsinjor Vinzenzo Paglia, i cili është edhe President i Këshillit Papal për Familje në Selinë e Shenjtë dhe themelues i Komunitetit Sant Egidio, po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë.
Presidenti Hashim Thaçi sot e ka pritur arqipeshkvin e Selisë së Shenjtë, monsinjor Vinzenzo Paglia, të cilin e ka falënderuar për kontributin e tij gjatë viteve të 90-ta, por edhe për periudhën e pasluftës dhe pas pavarësisë së Kosovës.
Rikthimi i monsinjor Vinzenzo Paglia në Kosovë, sipas presidentit Thaçi, është vazhdim i mbështetjes që ai i ka dhënë popullit të Kosovës tash e dy dekada.
“Kosova në këto dy dekada është transformuar në shtet dhe shoqëri moderne. Ne jemi model i bashkëjetesës së religjioneve dhe komuniteteve. Këtë e kemi arritur edhe falë mbështetjes së miqve tanë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, monsinjor Vinzenzo Paglia, është shprehur shumë i gëzuar me vizitën në Kosovë, pas shumë vjetëve.
Ai ka thënë se do të vazhdojë mbështetjen për popullin e Kosovës.