Loading…

Arianit Ahmeti konfirmon kandidaturën për kryetar të FFK’së

  • 21/02/2022 | 14:08

Arianit Ahmeti konfirmon kandidaturën për kryetar të FFK’së

Pas Remzi Ejupi, i cili mbrëmë e konfirmoi kandidaturën e tij për president të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), duke treguar se po e bën një program me ekspertë ndërkombëtar, sot edhe Arianit Ahmeti edhe zyrtarisht konfirmon kandidaturën e tij për kryetar.


Kështu Ejupi dhe Ahmeti bëhen dy kundërkandidatë të presidentit aktual të FFK-së, Agim Ademit, për zgjedhjet që do të mbahen në FFK më së largu deri në korrik, ndonëse data ende nuk është caktuar.

I kontaktuar nga “Gazeta Express”, Ahmeti tha se tashmë i ka siguruar nënshkrimet e 15 delegatëve, aq sa kërkohen me statut të FFK-së për kandidim. Për më tepër, theksoi se shumë shpejt do ta publikojë edhe programin e tij për futbollin e Kosovës.

“Ju konfirmoj se e kam mbështetjen e klubeve, mbi 15, të nevojshme për kandidim për kryetar të FFK-së. Në ditët në vijim do ta prezantojë programin tim për udhëheqje të FFK-së”, tha për Gazetën Expres ish zëvendëssekretari i FFK-së, i shkarkuar nga ky post, por që pastaj shkarkimi i tij ishte konstatuar i jashtëligjshëm nga Inspektorati i Punës  dhe Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Me të gjithë futbolldashësit do të bashkëpunojë për ta bërë ndryshimin e duhur për ta zhvilluar futbollin tonë, që viteve të fundit u degradua shumë nga Agim Adem, i cili ia humbi shkëlqimin dhe imazhin pozitiv që e kishte futbolli ynë”, u shpreh Ahmeti, i cili fillimisht ishte bashkëpunëtor i Agim Ademit pas emërimit të tij kryetar i FFK-së pas vdekjes së Fadil Vokrrit.

Por, pastaj raportet e tyre morën dimension tjetër, me ç’rast Ahmeti u shndërrua në kundërshtarin më të madh të Ademit tash e një kohë shumë të gjatë.

Ai bën thirrje për një proces demokratik zgjedhor në futbollin kosovar. “Për futbollin tonë është e domosdoshme që zgjedhjet në FFK të jenë të lira, transparente dhe demokratike, e jo zgjedhje të montuara apo të dirigjuara. Gara për kryetarin e FFK-së duhet me qenë për programet më të mira e jo për klanet më të forta”, shtoi Ahmeti.

Derisa Agim Ademi thuajse sigurt do ta kërkojë një tjetër mandat në krye të FFK-së, Ejupi dhe Ahmeti tashmë konfirmuan kandidaturat e tyre. Ndërsa, shumë muaj më parë edhe dy persona të tjerë e kishin konfirmuar kandidimin. Bëhet fjalë për ish kryetarin e Llapit, Nexhat Dumnica, dhe trajnerin Bekim Shotani. Por, muajve të fundit ata kanë heshtur dhe nuk dihet nëse u qëndrojnë prapa kandidaturave të tyre apo janë tërhequr.

Në qarqet e futbollit kosovar përmenden edhe disa emra të tjerë, si kandidatë të mundshëm, por zyrtarizim kandidaturash tjera tash për tash nuk ka.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë