Loading…

Apostolova kërkon depolitizimin e administratës

  • 23/11/2016 | 17:19

Apostolova kërkon depolitizimin e administratës

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, njëherësh përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se vetëm me depolitizim të administratës, mundet që Qeveria e Kosovës të rikthej besimin e qytetarëve në Qeverinë.

“Shërbimi civil i profesionalizuar, modern dhe etik, ndërton besim dhe mirëbesim të publikut në Qeveri dhe shërbimet qeveritare. Mënyra se si shërbyesit civil ndërveprojnë me qytetarët ndikon direkt në mënyrën se si qytetarët perceptojnë legjitimitetin e Qeverisë. Besimi publik dhe mirëbesimi në Qeveri është esencial për ndërtimin e besimit nga ana e investitorëve, që është vital për rritjen ekonomike dhe çrrënjosjen e varfërisë”, tha Apostolova.

Ajo i bëri këto komente gjatë vënies së gurthemelit të Institutit të Administratës Publike të Kosovës, ku pjesëmarrës ishin kryeministri Isa Mustafa, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete të tjera.

Vënia e gurthemelit të Institutit të Administratës Publike të Kosovës dhe ndërtimi i tij, sipas Mustafës, do të luajë rol esencial në formimin dhe përgatitjen e administratës së ardhshme të modernizuar shtetërore të Republikës së Kosovës, transmeton Koha.net.

“Po krijojmë një ambient të ri këtu afër Pallatit të Drejtësisë dhe institucioneve tjera, të cilat do të kalojnë në këtë pjesë dhe kjo flet për një përkushtim të zgjerimit tonë, për një qasje krejtësisht të re për institucione të reja dhe për zhvillimin demokratik dhe shoqëror të Kosovës”, tha Mustafa, duke uruar që shumë shpejt të inaugurohet dhe realizohet efikasiteti i këtij instituti.

Ministri Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se arritja deri në këtë fazë është rezultat i shumë përpjekjeve dhe mbështetjes së vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës nga njëra anë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë nga ana tjetër, në veçanti të Komisionit Evropian.

“Pesha e Institutit të Kosovës për Administratë Publike tashmë është e afirmuar në nivel qeveritar dhe kjo falë trajnimeve të shumta dhe të vazhdueshme që ofrohen për nëpunësit civil të administratës publike. Ky projekt do të mundësojë realizimin e të gjitha trajnimeve në nivelin qendror dhe në atë lokal. Planifikimet tona për modernizimin e administratës publike dhe për evropianizimin e saj kanë nxjerrë në pah pengesën në infrastrukturë në realizimin e trajnimeve të nevojshme për nëpunësit civilë. Prandaj, jemi zotuar që edhe këtë sfidë ta tejkalojmë duke ndërtuar godinën e cila do të plotësojë të gjitha nevojat infrastrukturore dhe logjistike për trajtimet e gjithë nëpunësve të administratës publike”, tha ministri.

Ndërtesa e Institutit të Kosovës për Administratë Publike do të ketë sipërfaqe prej afro 3500 metër katrorë, në aspektin funksional ndërtesa do të përdoret për qëllime të trajnimeve dhe do të jetë e pajisur me mjete të nevojshme për zhvillimin e trajnimeve edhe nga fusha e teknologjisë informative.

Hapësira përreth objektit, sipas ministrit Yagcilar është planifikuar për kampusin e agjencive qeveritare, për të cilin është hartuar plani rregullues dhe është bërë marrëveshje me komunën e Prishtinës për shfrytëzimin e tokës./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë