Loading…

Apeli vërteton vendimin e Themelores për anulimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve

  • 08/12/2023 | 08:20

Apeli vërteton vendimin e Themelores për anulimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin është aprovuar në tërësi kërkesëpadia e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, ndërsa është anuluar si i kundërligjshëm vendimi i të paditurës- Qeveria e Republikës së Kosovës, për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të 23 nëntorit 2022, duke e lënë kështu në fuqi vendimin e 12 shkurtit 2020.


Ndaj këtij vendimi ankesë në afatin e përcaktuar ligjor kishte parashtruar pala e paditur Qeveria e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, me vendimin e 13 tetorit 2023, ka vlerësuar se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë nuk mund të ulen gjatë mandatit të tyre, pasi që janë të drejta të fituara dhe të garantuara me ligj dhe si të tilla nuk mund të cenohen.

Mirëpo Gjykata e Apelit ka gjetur se ankesa e Qeverisë është e pabazuar.

“Ankesa e të paditurës u refuzua si e pa bazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar u vërtetua si i drejtë dhe i ligjshëm”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas Gjykatës së Apelit nuk është kontestuese se vendimi i organit të paditur nuk është përmbajtjesor ashtu si parashihet me dispozitat e cituara si më lartë të LPPA-së.

“Sipas vlerësimit të kolegjit në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet se në cilën formë duhet të ngritën pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mirëpo përcaktohet me ligj se të njëjtat pavarësisht arsyes së rritje nuk mund të zvogëlohen, ashtu siç edhe është arsyetuar në aktgjykimin e ankimuar, ndërsa sa i përket vendimit nr…. i datës …, me të cilin janë ngritur pagat, i njëjti vendim nuk mund të kundërshtohet e as të ankimohet nga shkaku se i njëjti është vendim përfundimtar në procedurë administrative i njëjti është ekzekutuara dhe i njëjti vendim asnjëherë nuk ka qenë e as nuk është objekt shqyrtimi në këtë procedurë gjyqësore, andaj gjykata e shkallës së parë me të drejtë nuk është marrë me pretendimin e të paditurës lidhur me këtë çështje”, thuhet ne vendimin e Apelit.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se Aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë, është i qartë dhe i kuptueshëm, si dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare të cilat i pranon edhe kolegji i kësaj gjykate.

“Duke marrë parasysh se gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale, me rastin e aprovimit të kërkesëpadisë së paditësit, e pasi që me pretendimet tjera ankimore të përsëritura të një pas njëshme, një aktgjykim i tillë nuk mund të vihet në pyetje, ankesa e të paditurës u refuzua si e pa bazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar u vërtetua si i drejtë dhe i ligjshëm”, thuhet ne vendimin e shkallës së dytë.

Nderkaq më 29 nëntor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pranuar padinë nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ndaj Qeverisë së Kosovës, pas vendimit të marrë nga kjo e fundit për uljen e pagave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar që të aprovohet padia e paditëses si e bazuar dhe të anulohet vendimi kontestues i të paditurës.

Aty thuhet se në padi është theksuar që vendimi i të paditurës është i kundërligjshëm pasi cenon të gjitha standardet dhe garancionet e sistemit të drejtësisë mbi pavarësinë institucionale dhe financiare të institucioneve të drejtësisë dhe po ashtu bije ndesh edhe me dispozita kushtetueses dhe ligjore që garantojnë pozitën financiare respektivisht pagën e prokurorëve dhe gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë.

Kurse, thuhet se e paditura në përgjigjen në padi të 11 shtatorit 2023, e konteston në tërësi kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar, duke theksuar se vendimi i të paditurës, i 23 nëntorit 2022, nuk bie ndesh me asnjë dispozitë ligjore, përkundrazi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë ekuivalente me pagat e kabinetit qeveritar.

Gjykata, për të vlerësuar ligjshmërinë e aktit kontestues të paditurës thuhet se iu është referuar Ligjit nr. 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit, respektivisht nenit 21, paragrafi 1, nënparagrafi 1.10, i cili përcakton se, “pavarësisht nga ndonjë dispozitë tjetër e ligjit, paga e prokurorëve të shtetit nuk do të zvogëlohet gjatë periudhës së shërbimit të tyre përpos nëse kjo caktohet si sanksion nga Këshilli Prokurorial apo Komisioni Disiplinor i Këshillit bazuar në përcaktimin se prokurori i shtetit ka kryer sjellje të pahijshme apo ndonjë vepër penale”.

Në vendim, thuhet se Gjykata është bazuar edhe në nenin 35, paragrafi 2 i Ligjit nr. 06/l-054 për Gjykatat, i cili përcakton se, “paga e një gjyqtari nuk do të zvogëlohet gjatë mandatit në të cilin gjyqtari është emëruar, përveç sanksionimit disiplinor të vendosur nën autoritetin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës”.

Sipas vendimit të Themelores, pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve garantohen me ligj dhe duhet të jenë në përpjesëtim me dinjitetin e profesionit të tyre dhe barrën e përgjegjësisë dhe se paga e tyre nuk mund të ulet përgjatë mandatit të tyre, përveç situatave të jashtëzakonshme të vështirësive ekonomike.

Themelorja thuhet se është bazuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ref. AGJ 1584 /2020, i cili ka përcaktuar se zvogëlimi i buxhetit nga pushteti ekzekutiv është një shembull se burimet e gjyqësorit mund të vihen në presion të tepruar dhe të padëshiruar, nuk eksiton një rregull që krijon garanci absolute se pagat në sektorin publik nuk mund të zvogëlohen, por se ulja e pagave duhet të jetë e arsyetuar dhe asnjëherë arbitrare, andaj ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodh vetëm nën kushte të një krize të theksuar financiare.

Sipas Gjykatës, vendimi kontestues i të paditurës nuk është nxjerrë mbi bazën e ndonjë situate të jashtëzakonshme ose vështirësie financiare, pasi edhe vetë buxheti për vitin 2023, parashikon rritje ekonomike në vlerën prej 2.6%, e që nga kjo konsiderohet se e paditura ka vepruar në mënyrë jo të drejtë, pasi shteti nuk ka ndonjë krizë financiare të jashtëzakonshme ekonomike.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative më 2 dhjetor 2022 kishte vendosur për pezullimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Lidhur me vendimin e Qeverisë, kishte reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë