Loading…

Ankand për 100-vjetorin e Marilyn Monroe, ekspozohen foto të rralla dhe objekte ikonike

  • 09/05/2026 | 15:36

Ankand për 100-vjetorin e Marilyn Monroe, ekspozohen foto të rralla dhe objekte ikonike

Foto të pabotuara të Marilyn Monroe dhe një koleksion i rrallë sendesh personale të ikonës së Hollivudit do të dalin në ankand më 1 qershor, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së aktores legjendare.


Sipas mediave ndërkombëtare, ankandi do të organizohet nga shtëpia “Julien’s Auctions” dhe do të përfshijë mes 350-400 artikuj që lidhen me jetën dhe karrierën e Monroe-s. Mes tyre janë fotografi të papublikuara më parë, dokumente personale, veshje, si dhe receta e shkruar me dorë për mbushjen e gjelit të detit për darkën e Falënderimeve.

Në ankand do të ekspozohen edhe objekte të tjera me vlerë historike, si një fustan mbrëmjeje Jeanne Lanvin, një kontratë e vitit 1949 me agjencinë William Morris dhe karta e anëtarësimit të Marilyn Monroe në Screen Actors Guild nga viti 1956.

Një nga artikujt më të veçantë është një fotografi e realizuar në vitin 1962 nga Alan Grant, vetëm pak javë para vdekjes së saj tragjike. Po ashtu, pjesë e ankandit do të jetë edhe buzëkuqi Max Factor që aktorja përdori gjatë xhirimeve të filmit të saj të fundit “Something’s Got to Give”, i cili mbeti i papërfunduar.

Atraksioni kryesor i ankandit pritet të jetë dera e gjelbër e shtëpisë së saj në Los Angeles, ku Marilyn Monroe u gjet e vdekur më 5 gusht 1962, në moshën 36-vjeçare.

Bashkëthemeluesi i Julien’s Auctions, Martin Nolan, u shpreh se ndikimi i Marilyn Monroe vazhdon të mbetet i jashtëzakonshëm edhe dekada pas vdekjes së saj.

“Pati jetë para Marilyn Monroe dhe jetë pas saj, por ajo mbetet një yll i pakrahasueshëm, ndikimi i së cilës vazhdon të jehojë edhe sot,” deklaroi ai.

Ankandi pritet të tërheqë koleksionistë dhe adhurues të aktores nga e gjithë bota, duke rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes trashëgiminë e pavdekshme të ikonës së kinemasë amerikane.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë