Loading…

Analiza e Hartwell: Asociacioni s’e ka bllokuar dialogun, Vucic mund ta zgjidhë që nesër mosmarrëveshjen, por nuk do

  • 06/02/2022 | 19:07

Analiza e Hartwell: Asociacioni s’e ka bllokuar dialogun, Vucic mund ta zgjidhë që nesër mosmarrëveshjen, por nuk do

‘Risia në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga fundi i vitit 2021 dhe javët e fundit është se Bashkimi Evropian po e shtyn hapur dhe disi në mënyrë agresive Kosovën që të zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe’, thotë Leon Hartwell, anëtar i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) në Washington


Për edicionin e Zërit të Amerikës në gjuhën serbe, Hartwell analizoi turneun ballkanik dhe qëndrimin në Prishtinë dhe Beograd të Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, diplomatë të caktuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për ta monitoruar situatën dhe për të ndërmjetësuar në rajon.

Hartwell thekson se opinioni ka përshtypje të gabuar se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kushti për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Megjithatë, nuk ka asnjë provë që kjo do të kontribuonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, thotë ai. Hartwell shton se Bashkimi Evropian po i jep mundësi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që t’ia lë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti barrën e dialogut.

“Pra, Vuçiq, si arsyetim për bllokadën aktuale të dialogut, e ka Kurtin si jobashkëpunues. Unë nuk mendoj se kjo është e dobishme dhe nuk është shkaku kryesor i ngërçit” tha Hartwell.

Ai gjithashtu kupton se derisa Bashkimi Evropian e fajëson Kosovën për mungesën e progresit në dialog, opinioni publik hesht për autoritarizmin gjithnjë e më të theksuar të Vuçiqit.

“Është edhe militarizimi i përshpejtuar i Serbisë, mbështetja e pakushtëzuar për Kremlinin pavarësisht asaj që ndodhi në Gjeorgji dhe Ukrainë, por edhe mosgatishmëria për ta dënuar Kinën për gjenocid kundër pakicës ujgure”, tha Hartwell.

Ai beson se vizitat e Escobar dhe Lajçak në Prishtinë dhe Beograd do ta rifillojnë dialogun, por nuk garantojnë rezultate.

“Këto vizita sigurisht që do ta rifillojnë dialogun, por disa rezultate të rëndësishme në të ardhmen nuk janë të garantuara. Megjithatë, progresi do të varet nga vullneti politik i palëve për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes. Unë jam i shqetësuar që ndërmjetësit e kanë qasjen se çdo bisedë është më e mirë se kur nuk ka. Megjithatë, kur palët negociuese takohen pa përparim të dukshëm, kjo rrezikon besueshmërinë e të gjithë procesit. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të fokusohen në lëvizjet jashtë tryezës së bisedimeve për të ndihmuar në përfundimin e mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës”, thotë Hartwell.

Presidenti serb është arsyeja kryesore e ngërçit në dialog, thekson ai, duke shtuar argumentin se si kreu i shtetit serb mund ta përmbyllte menjëherë këtë proces.

“Arsyeja kryesore që po vazhdon mosmarrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës është se presidenti Aleksandar Vuçiq nuk është i gatshëm ta mobilizojë mbështetjen për njohjen e sovranitetit të Kosovës. Vuçiq mund t’i japë fund mosmarrëveshjes me Kosovën nesër, nëse do të kishte vullnet për ta bërë këtë, por nuk do ta bëjë këtë – sepse mendon se do të përfitojë prej saj. Ai duket i kënaqur me status quo-në aktuale”.

“Pavarësisht listës së gjatë të çështjeve të hapura të diskutuara në dialog, mosmarrëveshja përfundimisht zbret në dy çështje themelore: sovraniteti dhe siguria – të cilat janë të lidhura ngushtë. Serbia ka një avantazh, sepse Kosova nuk ka shumë për të ofruar në tryezën e bisedimeve. Nëse Vuçiq do ta mobilizonte publikun për ta mbështetur njohjen e Kosovës, kjo do t’i zgjidhte të dyja çështjet – sovranitetin dhe sigurinë – dhe do ta hapte derën për ndërtimin e marrëdhënieve të forta mes dy vendeve dhe popujve të tyre”, shprehet Hartwell.

Ai thotë se rreth dy të tretave të serbëve nuk e mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës, por thekson se “qëndrimet nuk janë të gdhendura në gur”.

“Presidenti i Serbisë mund të fshihet pas mungesës së mbështetjes në Serbi për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nga ana tjetër, ai mund të luajë një rol transformues dhe ta nxisë mbështetjen për të. Udhëheqësit e vërtetë ndërmarrin hapa të guximshëm për ta mbështetur një të ardhme më të ndritshme për njerëzit e tyre”, thekson eksperti i politikave evropiane.

Ai sheh arsye të qëndrueshme në hezitimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin, ndërkaq që përmend faktin se Gjykata Kushtetuese kishte gjetur mospërputhje të asaj marrëveshjeje me Kushtetutën. Hartwell thekson se Qeveria e kryeministrit Kurti është e përkushtuar ndaj demokracisë multikulturore dhe në të drejtat e pakicave.

Hartwell nuk e sheh afër arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Nuk mendoj se është e dobishme që BE-ja dhe SHBA-ja po bëjnë më shumë presion mbi palët për ta gjetur një zgjidhje përmes dialogut. Duket se mosmarrëveshja nuk është gati për t’u zgjidhur për momentin. Mendoj se përtej tryezës së bisedimeve, duhet të punojmë në zgjidhjen e pengesave që pengojnë përparimin në procesin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thekson ai.

Nga marrëveshja përfundimtare, Hartwell thotë se qytetarët e të dy vendeve do të përfitonin më së shumti.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë