Loading…

Analistët thonë se deputetët po rrahen nga mllefi dhe jomorali

  • 02/11/2018 | 19:30

Analistët thonë se deputetët po rrahen nga mllefi dhe jomorali

Para pak ditësh ndodhi një incident i kacafytjes fizike në mes të dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Incidenti ka bërë që të ngriten pyetje në lidhje me sjelljet shpeshherë të papërgjegjshme të politikanëve vendorë.


Para pak ditësh, menjëherë pas daljes nga emisioni ‘Rubikon’ i Adriatik Kelmendit, u raportua për një përplasje fizike në mes të deputetëve Frashër Krasniqi nga radhët e PSD’së dhe Xhelal Sveçlës nga radhët e Vetëvendosjes, shkruan gazetametro.net

Pak më vonë, këto deklarata i kishte demantuar vetë deputeti Krasniqi, i cili mohoi të ketë pasur përplasje fizike dhe duke thënë se konflikti nuk kishte kaluar përtej një përplasje verbale.

“Ka qenë vetëm një konflikt verbal, tensionim verbal, kurgjë më shumë”, kishte pohuar Krasniqi.

Por, në anën tjetër, ka qenë deputetja e LDK’së, Besa Gaxherri, e cila ka qenë e pranishme në emision dhe në momentin e kacafytjes në mes të dy deputetëve, e cila ka thënë se pëprlasja mes Krasniqit dhe Sveçlës ishte fizike dhe se ka qenë Adriatik Kelmendi i cili kishte ndërhyrë për t’i ndarë. Ky i fundit nuk ka dashur të komentojë për ndodhinë.

“Po janë përlesh mes vete. Fatkeqësisht ka ndodhë. Unë kam qenë dëshmitare por nuk e di qysh ja kanë nis vetëm kur i pash, vërtet eskaloi situata. Adriatiku më shumë u mor me ta”, kishte deklaruar për Zëri.info deputetja Gaxherri.

Përplasja mund të shihet në vazhdën e vazhdueshme të tensioneve në mes të anëtarëve të dy partive të lartpërmendura, pas çarjes brenda VV’së, ku figura të rëndësishme dhe më pak të rëndësishme u shkëputën nga Vetëvendosje për të kaluar në një subjekt politik tjetër.

Por, edhe pse kjo është pasojë e tensioneve të vazhdueshme në mes këtyre dy subjekteve, dhe edhe pse tensionet në mes të politikanëve nuk janë përkthyer shpesh në përplasje fizike, megjithatë, sjellja e politikanëve me njëri tjetrin lë shumë për të dëshiruar.

Kështu, në lidhje me incidentin në mes të deputetëve të lartpërmendur dhe sjelljen e politikanëve në përgjithësi, analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Armend Muja, për Metron ka thënë se është e natyrshme që pasione dhe emocionet e deputetëve të shpërthejnë në përplasje verbale.

”Eshte e natyrshme që pasionet dhe emocionet në shume raste të eskalojnë në ndeshje verbale”, thotë Muja.

Megjithatë, sipas Mujës, sjellja e deputetëve është simbolike dhe mund të kopjohet nga të tjerët, duke shtuar se është e palogjikshme të presim rend shoqëror ndërkohë që, siç shprehet ai, çështjet thelbësore në eshalone më të larta eskalojnë në konflikte.

”Sjellja e deputetëve është simbolike që mund të përkthehet dhe kopjohet nga te tjerët. Eshtë e palogjikshme të presim rend shoqëror në ndërkohë që çështjet thelbësore në eshalone të larta të përfaqësimit eskalojnë në konflikte. Z.Krasniqi është djali i ri dhe potencialisht me perspektivë. Megjithatë, është evidente që ka nevojë për anger management (menaxhim te mllefit)”, ka thënë ai më tej.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, incidentin dhe sjelljen e deputetëve në përgjithësi e cilëson si degradim total dhe madje si gjendje anarkike dhe kaotike, duke shtuar se të gjithë dëshrojnë të imponojnë diçka dhe kjo diçka është padituria dhe mosrespekti për qytetarët që i kanë votuar.

”Degradim total, po ndodh një gjendje kaotike, anarkike. Të gjithë deshirojnë të imponojnë diçka dhe kjo diçka është padituria, mosrespekti për qytetarët që i kane votuar, këta njerëz nuk kanë lidhje me kurrgjë, as me punë as me profesion që iu mungon, dhe vlerë e tyre paraqitet dhuna , anti morali, uzurpimi dhe përfitimi zhvatës i pa justifikueshëm nga buxheti i kosoves, kjo cilësohet si luftë per gjithçka për të mbijetuar vetë”, ka thënë Burjani për Metron.

Gjithashtu, ai ka thënë se Kosova ballafaqohet me probleme të rënda të anti-vlerave, ku është krijuar një shoqëri anarkike ku nuk ka politikë por vetëm zbrasje të emocioneve, dhe se vetëdijësimi qytetar për këto probleme mungon.

”Kosova ballafaqohet me probleme të rënda të antivlerave, është krijuar një shoqëri anarkike nuk ka politikë për momentin, ka vetëm zbrazje, dhunë, emocione të pa kontrolluara. E keqja më e madhe është se nuk ka vetëdijësim qytetar, ky është problemi më i madh i zhvillimit të demokracisë”, ka thënë ai më tej

Ndryshe, në lidhje me incidentin Krasniqi-Sveçla, Policia e Kosovës ende nuk ka intervistuar ndonjërin nga këta të dy, të përfshirë në incidentin e përfolur. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë