Loading…

Analistët: Qeveria e re ka sfidë tejkalimin e temave të mëdha

  • 09/07/2017 | 10:19

Analistët: Qeveria e re ka sfidë tejkalimin e temave të mëdha

Politologu Belul Beqaj ka konsideruar se formimi i Qeverisë së re ndërlidhet pikërisht me temat e mëdha, siç janë Demarkacioni, vizat etj., të cilat duhet të kalohen pavarësisht se a do të ketë qeveri të pakicës apo të shumicës.


“Këto tema duhet të kalohen pavarësisht se a është në pyetje qeveria e shumicës apo e pakicës. Prandaj, insistimi eventual për formimin e Qeverisë ndërlidhet para së gjithash me këto tema të trashëguara pavarësisht se sa Qeveria do të jetë stabile”, ka potencuar ai.

Mirëpo, sipas tij, para krijimit të Qeverisë duhet të ketë dakordim mes partnerëve të koalicionit.

“Para se të krijohet Qeveria, besoj se këto do të jenë tema të cilat duhet të dakordohen paraprakisht me partnerët e koalicionit ngase çdo zgjidhje tjetër është humbje kohe dhe shprese”, është shprehur Beqaj për “Zërin”.

Ndërkaq analisti politik Imer Mushkolaj ka vlerësuar se temat e mëdha, të cilat kanë përcjellë vendin gjatë qeverisjes së kaluar, do të mund të zgjidheshin me marrëveshje mes pozitës e opozitës.

“Çështjet si demarkacioni, Asociacioni e ushtria do të mund të kaloheshin edhe me një konsensus të gjerë ndërmjet pushtetit e opozitës, e jo domosdosëmërisht nga shumica që e përbën koalicionin qeveritar. Pra, më e mira do të ishte që pavarësisht kush e krijon Qeverinë, të mund ta arrinte me opozitën dhe me akterë të tjerë të shoqërisë një konsensus gjithëpërfshirës për kalimin e këtyre çështjeve, të cilat do të duhej të ishin teknike, por janë kthyer në kauza politike”, ka nënvizuar ai.

Kurse Qeveria, sipas Mushkolajt, do të duhej të fokusohej në temat siç janë zhvillimi ekonomik, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit dhe agjenda evropiane.

Edhe Haki Abazi, njohës i çështjeve politike, ka vlerësuar se që nga paslufta nuk ka pasur situatë më të rëndë politike sesa aktualisht.

“Që nga paslufta nuk ka pasur situatë dhe gjendje më të vështirë dhe fazë të izolimit total. Të gjitha dështimet e politikës dhe udhëheqjes kanë rezultuar në pakënaqësi te qytetarët, që shumica as që kanë marrë mundimin të votojnë dhe gjithashtu është një pakënaqësi deri në kulm me ata që dikur e donin dhe respektonin shtetin e ri dhe kishin pa fund admirim për vendin dhe popullin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ai më tej ka konsideruar se nevojitet një qeveri e unitetit për t’i zgjidhur të gjitha këto çështje.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë