Zyrtarë nga ambasadat e ShBA-së dhe Britanisë në Kosovë sqaruan letrën që i dërguan KGJK-së.
Disa ditë pasi KALLXO.com raportoi lidhur me një letër të ambasadave të Amerikës dhe Britanisë në Kosovë, ku këto përfaqësi diplomatike shprehnin shqetësimin e tyre rreth ligjshmërisë së zgjedhjes së kryetarëve të Gjykatave në Kosovë, përfaqësues të këtyrë ambasadave treguan pse e dërguan këtë letër.
Në përgjigjet e dërguara në KALLXO.com prej Michelle Schohn nga ambasada amerikane në Kosovë, thuhet se Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për gjendjen e gjyqësorit e gjithashtu edhe për besimin e opinionit në të.
“Ne kemi shqetësime të vazhdueshme dhe që dihen për korrupsion dhe keqbërje në sistemin gjyqësor. Kjo letër, si dhe të gjitha komunikimet me organizatat, janë pjesë e bashkëbisedimit tonë të vazhdueshëm në përpjekjen për t’i përcjellë shqetësimet tona te partnerët tanë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Kosovë.
Përgjigje të ngjashme dha për KALLXO.com edhe Ambasada e Britanisë së Madhe.
“Ne kemi shqetësime afatgjate dhe të njohura lidhur me korrupsionin dhe parregullsitë në sistemin gjyqësor. Kjo letër, ashtu si të gjitha komunikimet tjera me institucionet, është pjesë e komunikimeve tona të vazhdueshme, në përpjekje për t’u bërë të qarta shqetësimet tona partnerëve tanë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës britanike në Kosovë.
Të dy ambasadat përsërisin përkushtimin për të ndihmuar sistemin kosovar të drejtësisë.
“Për shkak të rëndësisë që i japim forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë, Shtetet e Bashkuara punojnë ngushtë me KGjK-në dhe KPK-në për të ndihmuar sigurimin e funksionimit efikas të këtyre institucioneve jetike. Përmes programeve tona të USAID-it dhe Departamentit të Drejtësisë, ne japim ekspertizë teknike dhe trajnime, dhe kemi zhvilluar partneritete të fuqishme dhe produktive me të dyja institucionet” thuhet në përgjigje.
Në letrën e dërguar për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, dy ambasadat më me ndikim në Kosovë kishin shprehur shqetësimin e tyre se procesi i zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave në Kosovë përmes votimit të fshehtë mund të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Zgjedhja e kryetarëve të gjykatavë bëhet në bazë të Rregullores 09/2016 për Procedurat e Zgjedhjes, Emërimit, Vlerësimit, Pezullimit dhe Shkarkimit të Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.
Procesi i përzgjedhjes nis me intervistimin e kandidatëve për kryetar nga një komision i cili formohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Ky komision pas intervistimit i propozon Këshillit Gjyqësor kandidatët në bazë të vlerësimit të arritur në testim.
Ambasadat në letër shprehin shqetësim se zgjedhja në mënyrë të fshehtë e kandidatëve për kryetar gjykatash, po ndikon që në disa raste të mos zgjidhet ai që ka dalë më i miri gjatë intervistimit.
Rasti më i freskët i tillë është rasti i përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ku Enver Peci nga anëtarët e KGjK-së u propozua për kryetar me votim të fshehtë përkundër se kandidatja më e poentuar nga Komisioni Intervistues ishte Valdete Daka.
Këshilli Gjyqësor e përzgjedh për kryetar personin i cili merr shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të KGJK-së në një proces të fshehtë të votimit.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se është duke u shqyrtuar letra e dërguar nga ambasadat.