Loading…

Amerika për Maqedoninë: Formoni qeverinë

  • 20/04/2017 | 09:02

Amerika për Maqedoninë: Formoni qeverinë

Uashingtoni u bëri sot thirrje autoriteteve të Maqedonisë të formojnë pa vonesë qeverinë e re.


Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se pas zgjedhjeve të dhjetorit, ka një shumicë të qartë në parlament dhe qeveria e re duhet të formohet pa vonesa të mëtejshme që vendi të rifillojë reformat e duhura për t’u anëtarësuar në familjen Euro-Atlantike.

 

Politikanët që përpiqen të bllokojnë formimin e qeverisë, tha zyrtari amerikan, po minojnë shtetin ligjor, procesin demokratik, stabilitetin e vendit dhe të rajonit më gjerë.

Shtetet e Bashkuara, theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, do të punojnë me partnerët evropianë, për t’i nxitur politkkanët të heqin dorë nga pengesat si dhe t’i mbajë ata përgjegjës për veprimet e tyre.

Që prej zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, në Maqedoni po vazhdon ngërçi politik me zvarritjen e transferimit të pushtetit tek shumica e re e deklaruar parlamentare.

Procesi i zgjedhjes së kreut të parlamentit, me këtë edhe i formimit të qeverisë është bllokuar. Ndonëse, Lidhja Social Demokrate, e cila pretendon ta formojë qeverinë, thotë se së shpejti do të zgjedhet kryetari i parlamentit dhe më pas do të formohet qeveria reformatore. Por, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE kërcënon me trazira të mbështetësve të saj në rrugë, nëse pushteti kalon në duart e socialdemokratëve.

Edhe presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov ka përsëritur të mërkuren se nuk do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë zotit Zoran Zaev për shkak të mbështetjes që Zaev i jep “Platfomës së Tiranës”, sipas presidentit maqedonas, e që e rrezikon sovrantetin dhe pavarësinë e Maqedonisë, sipas vlerësimeve të Ivanovit.

Ndërkohë, një numër analistësh në Shkup vlerësojne se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk po përfshihen sa duhet në zgjidhjen e ngërçit më se dy vjeçar të Maqedonisë dhe se po presin që drejtuesit politikë ne Shkup të merren vetë me problemet e brendshme, shkruan VOA.

Kjo shikohet si kriza më e vështirë politike dhe institucionale në të cilën ka rënë vendi, ndonëse zgjedhjet e 11 dhjetorit synonin t’i jepnin fund asaj.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: i[email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë