Loading…

Ambasadori Sabri Kiçmari fillon punën në Japoni

  • 20/01/2022 | 08:16

Ambasadori Sabri Kiçmari fillon punën në Japoni

Ambasadori i Republikës së Kosovës, Sabri Kiçmari ka filluar zyrtarisht detyrën në Tokio.


Pas përfundimit të karantinës 14 ditore, ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, ka filluar zyrtarisht detyrën në Tokio. Ai është pritur në dy takime të ndara nga zëvendësministri i punëve të jashtme të Japonisë Takeo Mori si dhe nga shefja e protokollit të MOFA-së, Ambasadore Shino Mitsuko.

Me rastin e dorëzimit të kopjeve origjinale të letrave kredenciale tek zëvendësministri Mori, Ambasadori Kiçmari edhe formalisht filloi punën si ambasador i Kosovës në Tokio.

Ambasadori Kiçmari i përcjelli zëvendësministrit Mori si dhe shefit të Protokollit Shino përshëndetjet e zyrtarëve më të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës për qeverinë dhe institucionet japoneze dhe shprehu falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia ka ofruar për Kosovën.

“Republika e Kosovës dhe Japonia ndajnë vlera të përbashkëta në respektimin e demokracisë, bashkëpunim të afërt institucional dhe miqësi të bazuar në marrëdhënie të sinqerta në mes të dy popujve tanë”, theksoi ambasadori Kiçmari.

Ambasadori Kiçmari gjithashtu tha se prioritet i tij kryesor në Tokio do jetë thellimi dhe rritja e mëtejme e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Japonisë, theks i veçantë ai tha se do jetë edhe sektori ekonomik, me këtë rast nxitja e investimeve japoneze për të investuar në Kosovë.

Zëvendësministri i jashtëm z. Mori duke i uruar mirëseardhje dhe fillim të mbarë Ambasadorit Kiçmari, u shpreh se ai dhe institucionet tjera japoneze do ofrojnë bashkëpunim dhe mbështetjen e plotë për Ambasadën e Kosovës në Japoni, kështu marrëdhëniet në mes të dy shteteve tona do njohin vetëm rritje të bashkëpunimit dhe thellim të marrëdhënieve.

Në këtë takim Ambasadori Kiçmari u shoqërua nga diplomati Arbër Mehmeti.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë