Duke folur në një simpozium me temë anti-korrupsionin, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Donald Lu i rekomandoi popullit shqiptar të rrisë pritshmëritë nga reforma ndërsa konsideroi “gënjeshtra” lojën me përkthimin e ligjit të vetingut si dhe argumentoi se të korruptuarit kanë frikë dhe po përpiqen të pengojnë reformën.
Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu kritikoi sot si gënjeshtra sulmet mediatike dhe politike ndaj Ambasadores së Delegacionit Europian në Tiranë Romana Vlahutin dhe spekulimet mbi përkthimin e gabuar të ligjit të vetingut, i cili është dërguar për opinion në komisionin e Venecias, ndërsa theksoi se të korruptuarit dhe krimi i organizuar janë frikësuar sakaq nga perspektiva e zbatimit të reformës në drejtësi dhe krijimit të strukturave hetimore të pavarura për të goditur korrupsionin në nivelet e larta, shkruan reporter.al
Duke folur në një konferencë me titull “Sytë Drejt së Ardhmes: Muri i Korrupsionit Çahet!”, të mbajtur në Tiranë, Lu tregoi një histori korrupsioni në drejtësinë amerikane për të ilustruar kostot në jetët e njerëzve të zakonshëm që shkakton korrupsioni dhe domosdoshmërinë për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta.
“Në Shtetet e Bashkuara ka një rast të njohur korrupsioni që u zbulua në vitin 2008. Ai përfshinte dy gjykatës që morën më shumë se 2.6 milionë dollarë ryshfet nga burgje private për të mitur në këmbim të dënimeve të rënda për t’i mbajtur burgjet plot”, tha Lu, duke iu referuar një skandali që përfshiu drejtësinë amerikane pak vite më parë, në të cilin, pronari i një burgu privat për minorenë pagoi gjykatësit me qëllim që këta të fundit të mbushnin burgun e tij pavarësisht nëse kishin bërë krime apo jo, me qëllim që të merrte paratë nga qeveria për shërbimin e burgosjes.
Lu theksoi gjithashtu se masat e duhura për raste të tilla korrupsioni në drejtësi janë: dënimi i të korruptuarve dhe rishikimi i vendimeve të padrejta të marra prej tyre.
” E përdor këtë shembull për të theksuar kostot e tmerrshme njerëzore të korrupsionit në nivele të larta. Në Shqipëri, çdo familje ka një histori për të treguar se si korrupsioni i ka prekur jetën. Disa ankohen për inspektorë tatimorë të pangopur që i detyrojnë të mbyllin bizneset. Të tjerë flasin për biznesmenë të korruptuar që krijojnë monopole në sektorin farmaceutik ose që kontrollojnë politikanë për të ndikuar vendimin për një tender ose pronë. Ose, se si gjykatës apo prokurorë të korruptuar kërkojnë pará, seks ose favore për një vendim gjyqësor korruptiv,” tha Lu.
Duke folur për debatin mediatik të ngritur nga Partia Demokratike në opozitë në lidhje me ligjin e vetingut, Lu deklaroi se pretendime për përkthime të pasakta janë gënjeshtra të sajuara nga krimi i organizuar dhe të korruptuarit, të cilët kanë frikë nga zbatimi i reformës.
” Për shkak të frikës së tyre, ata po sajojnë histori dhe thonë gënjeshtra për Ambasadoren e BE-së, EURALIUS-in dhe Gjykatën Kushtetuese. Sikurse e tha vetë Kryetari i Gjykatës Dedja, Gjykata ka dërguar tashmë një përkthim të rishikuar në Komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte thelbësor,” tha Lu.