Loading…

Ambasadori gjerman-Qeverisë Kurti: Kur e refuzoni Asociacionin, sillni propozime në tavolinë

  • 27/05/2022 | 18:58

Ambasadori gjerman-Qeverisë Kurti: Kur e refuzoni Asociacionin, sillni propozime në tavolinë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ka thënë se vendi i tij s’e do një Republika Srpska të dytë.


Megjithatë thotë se ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit, derisa kërkon propozime konkrete nga Qeveria e Kosovës duke thënë se kur refuzon diçka duhet të sjellësh propozimin tënd në tavolinë.

“Mendoj që jo vetëm unë, por të gjithë kolegët e mi referuar këtij argumenti, disa herë kemi përsëritur se asnjeri nuk e do një Republika Srpska të dytë. Asnjë. Por ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit dhe duhet të flitet për çështje të caktuara. Unë jam takuar me përfaqësues serbë këtu, të cilët thonë se ne duam të flasim për probleme praktike, me të cilat ballafaqohen komunat tona, si furnizimi me ujë, largimi i mbeturinave e të ngjashme. Ajo çfarë unë shoh se mungon, janë propozimet. Çfarë do të thotë në të vërtetë kjo. Po flitet për mite, për të cilat asnjeri nuk e thotë se çfarë nënkuptojnë dhe askush nuk ofron propozime konkrete në tavolinë. Dëgjoj nga qeveria që Kosova: Po, një asociacion si Rugova është në rregull, e kështu me radhë. Por mendoj se kur negocion, atëherë duhet të sjellësh propozime në tavolinë. Njëra palë thotë: “Këtë kam unë për të ofruar” dhe tjetra: “Këtë dua ta pranoj” dhe pastaj duhet të pasojnë takime. Por deri tani propozimet e këtilla mungojnë. Thuhet: “Unë e dua këtë gjë” dhe pala tjetër thotë “Jo”. Mendoj se kjo nuk është rruga e duhur për të arritur deri tek një zgjidhje”.

Ambasadori gjerman, në një intervistë për Klan Kosovën, nuk përgjigjet nëse Qeveria Kurti është e gatshme për t’i sjellë në tavolinë këto propozime, sepse këtë e cilëson si pyetje hipotetike.

Ai insiston se taktika më e mirë negociuese për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është që Kosova të reagojë me ofertë karshi kërkesës së Serbisë.

“Një ofertë, e cila i përmban parimet, të cilat ia ke vendosur vetes, jo minim të autonomisë. Unë vij nga një vend, në provincën e së cilës ka një pakicë daneze që financohet nga jashtë. Në Berlin ka një pakicë sllave, e cila ka shkollat e saj, flamurin e saj dhe ato nuk e minojnë sovranitetin e Gjermanisë. Ka mijëra shembuj në Evropë, ku pakicat kanë të drejta të caktuara, apo jo, shkolla të tyre. Por kjo duhet të shihet. Në bisedime bën pjesë edhe sjellja e ofertave në tavolinë”.

Rohde thotë se kjo është diçka që duhet ta zgjidhin Kosova dhe Serbia, por shton se duhet të ketë një zgjidhje evropiane.

“Po, një zgjidhje në mes të të dy palëve në bisedime. Ne mund të ndihmojmë, duke thënë se ekziston shembulli X apo Y, por Kosova dhe Serbia janë partnerët bashkëbisedues. BE është vetëm ndërmjetësues”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë