Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) shprehu edhe një herë shqetësimin lidhur me praninë e të miturve në veprimtaritë e organizuara nga subjektet politike gjatë periudhës zgjedhore, transmeton Gazeta Metro.
Në reagim, koalicioni vlerëson se thirrjet e mëhershme nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.
“Përkundër thirrjeve të KOMF, subjektet politike po vazhdojnë t’i përfshijnë fëmijët në aktivitete politike”, thuhet në reagim.
Sipas KOMF-it, angazhimi i fëmijëve në ngjarje me karakter politik ndikon negativisht në dinjitetin dhe mirëqenien e tyre, duke mos respektuar parimin e interesit më të mirë të fëmijës.
Koalicioni ka bërë thirrje ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të forcojë mbikëqyrjen e procesit dhe të ndërmarrë veprime në përputhje me legjislacionin ndaj rasteve të evidentuara./gazetametro.net