Zjarre të fuqishme kanë përfshirë lindjen e shtetit të Uashingtonit në SHBA, duke detyruar rreth 60 mijë banorë të largohen nga zonat e rrezikuara, transmeton Gazeta Metro.
Flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, me rreth 600 shtëpi, biznese dhe objekte të tjera të shkatërruara.
Sipas Associated Press, zjarret në zonën e Spokane kanë përfshirë rreth 21 kilometra katrorë tokë, ndërsa në gjithë shtetin e Uashingtonit janë prekur afërsisht 1 mijë kilometra katrorë sipërfaqe.
Autoritetet kanë bërë të ditur se deri tani nuk janë raportuar viktima apo persona të zhdukur, por disa vatra vazhdojnë të paraqesin rrezik dhe nuk janë neutralizuar plotësisht. Pamjet nga terreni tregojnë lagje të mbuluara nga tymi dhe ndërtesa të përfshira nga flakët, ndërsa ekipet emergjente po vazhdojnë përpjekjet për kontrollimin e zjarreve.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve mund ta vështirësojnë situatën, ndërsa po hetohen shkaqet e shpërthimit të zjarreve. Përveç Uashingtonit, edhe shtetet Idaho, Oregon dhe Utah po përballen me vatra të mëdha zjarri që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme./gazetametro.net