Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, organizata jo qeveritare Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut ka organizuar një aktivitet rrugor. Trina Binaku, zyrtare monitoruese e Nismës për të Drejtat e Njeriut, ka treguar se qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është trajtimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut në sistemin arsimor.
Trina Binaku ka thënë se përgjatë viteve ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në shkolla, por kjo dukuri është shfaqur edhe në tekste shkollore me anë të gjuhës diskriminuese të përdorur.
“Është evidente përgjat viteve ka pas shkelje të drejtave të njeriut në shkolla dhe në sistemin arsimor si përshembull dhuna emocionale, fizike, psikologjike, ndarja në bazë të racës apo etnis, pamundsia e personave me aftësi të kufizuara me pas qasje në shkolla edhe gjuha diskriminuese që është evidente në shumë prej teksteve shkollore sidomos në ato tekste që për qëllim kanë një vedisim të themi shoqëror dhe kulturor”, ka thënë Binaku për Gazetën Metro.
Ajo gjithashtu ka thënë se të drejtat e njeriut nuk po respektohen as nga vet institucionet.
“Të drejtat e Njeriut nuk po rrespektohen aspak duke fillu edhe prej institucioneve që rrjedhimisht e mundson edhe për njerëz tjerë me i shkel të drejtat e njeriut”, shtoi Binaku.
Ndryshe, 10 dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.