Autoritetet kanë nisur kontrolle në tregun e kriptovalutave dhe këmbimoreve në Kosovë, me qëllim verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore nga subjektet që ushtrojnë këtë veprimtari, transmeton Gazeta Metro.
Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, në ditën e parë të aksionit janë kontrolluar 16 biznese në disa komuna të vendit.
Gjatë këtyre inspektimeve, gjashtë subjekteve u është ndaluar përkohësisht ushtrimi i aktivitetit për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar, ndërsa gjashtë biznese të tjera janë ndëshkuar me gjoba për mosplotësim të obligimeve ligjore.
“Gjatë ditës së parë të aksionit janë inspektuar 16 biznese, ku ndaj 6 subjekteve është shqiptuar masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë për shkak të mungesës së dokumentacionit të detyrueshëm, kryesisht mungesës së pëlqimit për përmbushjen e kushteve minimale teknike, si dhe ndaj 6 bizneseve tjera janë shqiptuar gjoba për mungesën e dokumentacionit ligjor”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.
Nga ministria është bërë e ditur se kontrollet janë pjesë e një plani më të gjerë, gjatë të cilit pritet të verifikohen mbi 268 biznese të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës që kanë të deklaruar këtë lloj veprimtarie.
“IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që ushtrojnë këtë veprimtari të sigurojnë përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore, duke aplikuar për pëlqimin e kushteve minimale teknike në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe duke u pajisur me licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, theksohet në njoftim.
Aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim që operatorët ekonomikë të veprojnë në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara me ligj./gazetametro.net