Loading…

Ajeti për “Die Presse”: Vucic ka dy vëllezër autoritarë në Pekin dhe Moskë

  • 02/06/2021 | 11:59

Ajeti për “Die Presse”: Vucic ka dy vëllezër autoritarë në Pekin dhe Moskë

Politologu kosovar, Faruk Ajeti ka dhënë një intervistë për gazetën vjeneze “Die Presse”.


Ajeti ndër të tjera, përshkruan se si Kina dhe Rusia vazhdojnë ta zgjerojnë fuqinë e tyre në Evropën Juglindore.

Die Presse: Si ka ndryshuar roli i Rusisë dhe Kinës në Evropën Juglindore si rezultat i pandemisë së koronavirusit?

Ajeti: Evropa Juglindore prej vitesh tashmë është bërë një tryezë shahu në planet strategjike të aktorëve perëndimorë dhe jo-perëndimorë. Përhapja e pandemisë së koronavirusit ka shpërfaqur edhe më fuqishëm se sa prezentë është Kinës në rajon – për shembull në Serbi ose në Hungari. Filloi me diplomacinë e maskave nga ana e Pekinit dhe vazhdoi me diplomacinë e vaksinave, ku edhe Moska është duke operuar fuqishëm. Në vitin 2012, Kina lancoi iniciativën 17 plus 1 për thellim të bashkëpunimit me vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore. Dy vjet më vonë, pas aneksimit të Krimesë, Rusia po përpiqet gjithashtu të rrisë edhe më shumë praninë e saj në Ballkan.

Die Presse: Si ndryshon qasja e Kinës nga ajo e Rusisë?

Ajeti: Pas krizës financiare të 2010 në Evropë ajo u shfrytëzua nga Kina për të zgjeruar fuqinë e saj ekonomike. Marrja në pronësi e portit të Pireut ishte vetëm hapi i parë për të fituar ndikim në sektorë të tjerë të rëndësishëm në Evropë. Pekini mbështet zgjerimin e BE-së në Ballkan, Rusia jo. Rusia dhe Kina janë fuqi autoritare që nuk përkujdesen për përforcimin e shtetit të së drejtës ose të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Ndryshe nga Kina, angazhimi i Rusisë në Ballkan bazohet edhe në afërsinë fetare, gjuhësore dhe kulturore.

Die Presse: Çfarë ka të re në ndikimin e Rusisë?

Ajeti: Pas marrjes së pushtetit në Serbi, presidenti Aleksandër Vuçiç i dha Rusisë mundësinë për të zgjeruar ndikimin e saj. Me krizën në Ukrainë, Moska po përpiqet të përdorë Ballkanin Perëndimor si një rrugë transiti për gazin natyror rus. Kompanitë ruse kanë marrë përsipër kompani të rëndësishme strategjike në Serbi – për shembull në sektorin e naftës dhe gazit.

Die Presse: Kush është më e fuqishme në Serbi Rusia apo Kina?

Ajeti: Vuçiç gjithmonë e ka quajtur vëlla presidentin rus Vladimir Putin. Tani ai ka edhe një vëlla shtesë: vëllain Xi, presidentin e Kinës. Vuçiç ka dy vëllezër të mëdhenj autoritarë nga të cilët njeriu nuk ka çka të mësojë asgjë të hajrit sesa minimin e demokracisë dhe lirisë së medias. Serbia blen armë nga Rusia dhe Kina. Serbia është realisht duke u ulur në tri karrige në të njëjtën kohë: në karrigen e BE-së dhe SHBA-ve, në karrigen e Rusisë dhe në karrigen e Kinës. Serbia e ka mbështetur Kinën në organizatat ndërkombëtare, për shembull në Këshillin e KB për të Drejtat e Njeriut. Dhe Hungaria gjithashtu parandaloi një deklaratë të përbashkët nga BE në të cilën do duhej të ishte dënuar Kina për Hong Kongun.

Die Presse: Çfarë rreziqesh paraqet kjo për vendet si Serbia?

Ajeti: Nga 2012 në 2020, Serbia mori dhjetë miliardë dollarë nga Kina. Këto nuk janë të gjitha investime të huaja direkte, por kredi nga ndërmarrjet shtetërore kineze. Pekini po përpiqet të marrë përsipër sektorë të tërë ekonomikë dhe industri strategjike. Unë e quaj atë “diplomaci komanduese”. Nëse një vend nuk është më në gjendje të ripaguajë huatë, kompania shtetërore kineze merr përsipër projektin. Pastaj varësia nga Pekini rritet. Kemi raste të tilla si në Pakistan, Xhibuti, Sri Lanka. Mali i Zi është rasti i parë evropian që ka probleme të tilla. 1.3 miliardë dollarë janë shumë për një vend të vogël si Mali i Zi. Pekini e dinte që nga fillimi se Mali i Zi nuk do të ishte në gjendje të paguajë kreditë. Në rast të mos pagesës së këstit të kredisë, gjykatat kineze të cilat i subordinohen Partisë Komuniste të Kinës do të vendosin për të dhe jo gjykatat malazeze.

Die Presse: Çfarë roli luan BE-ja? Para pak kohe qarkulluan disa non-papers për ndryshime kufijsh që shkaktuan reaksione. Ato parashikojnë ndryshime masive të kufijve si një zgjidhje për konfliktet ekzistuese.

Ajeti: Sikur BE-ja të kishte vepruar më vendosmëri në Ballkan, këso non-papers nuk do të kishin ekzistuar fare. Rrjedhimisht, nuk do të ekzistonte opsioni B, nëse opsioni A zgjerimi i BE-së do të kishte funksionuar mirë. Unë mendoj se non-papers u botuan me një qëllim: për të testuar se si do të reagojë opinioni publik. Por, zbatimi i tij do të ishte një katastrofë.

Die Presse: Ithtarët e këtyre planeve argumentojnë, nëse pas ndryshimit të kufijve të gjithë serbët dhe shqiptarët jetojnë në shtetet e tyre, të gjitha konfliktet do të zgjidheshin.

Ajeti: Kjo do të shkaktojë shumë më tepër probleme. Në Ballkan nuk jetojnë vetëm shqiptarët dhe serbët. Krijimi i shteteve mono-etnike është një logjikë e shekullit XIX. Ndryshimet e kufijve përgjatë vijave etnike nuk janë në përputhje me frymën evropiane. Kur Ballkani të bëhet pjesë e BE-së brenda pesë ose dhjetë vjetësh, kufijtë nuk do të kenë më rëndësi. Jugosllavia gjithashtu u shpërbë përgjatë kufijve të republikave ose në rastin e Kosovës sipas kufijve të autonomisë. Një ndarje e Bosnje dhe Hercegovinës nuk do të ishte në përputhje me investimin 30 vjeçar të faktorit perëndimor. Moska mund ta përdorë gjithashtu këtë si një precedent – për ambiciet e saja në Ukrainën Lindore.

Die Presse:  Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjithashtu ka folur për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ajeti: Nuk është sekret që Kurti mbështet bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai duhet të interesohet më shumë për problemet e qytetarëve të Kosovës: shqiptarëve të Kosovës, serbëve të Kosovës dhe pakicave tjera. Dhe për Vuçiçin bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk do të ishte problem, për sa kohë që ai mund ta shkëpusë Veriun e Kosovës për ta bashkuar me Serbinë. Ajo që ai nuk e duron dot është një Kosovë e pavarur. Ballkani ka nevojë për më shumë përafrim me BE-në dhe vlerat demokratike dhe jo me tendencat nacionaliste.

Dr. Faruk Ajeti është ekspert për Evropën Juglindore dhe punon si bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Vjenë (OIIP), ku mbulon raportet transatlantike dhe ndikimin në rritje të akterëve jo-perëndimorë në Evropë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]zetametro.net
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë