I pari i Drejtorisë së Pronës, Dren Kukaj, sot ka shpalosur vendimin me të cilin lë pa banesa asambleistë të LDK’së e PDK’së, e madje edhe kryetarin e Asamblesë Komunale të Prishtinës, Halim Halimin.
Kukaj ka thënë se ky është një vendim i VV’së në bashkëpunim me Shpend Ahmetin, për të cilin thotë se shpreson të mos llogaritet si hakmarrje politike.
“Ne kemi vendosur që përjashtimisht kategorive të luftës e rasteve sociale, të gjithë të tjerët kemi vendosur t’i largojmë prej aty, dhe të shpallim një konkurs të ri dhe të njejtit t’i zëvendësojmë me raste që me të vërtetë kanë nevojë”, ka thënë Kukaj, raporton Gazeta Metro.
Ndër ata që kanë përfituar, siç thotë drejtori Kukaj, pa nevojë banesa nga Komuna, janë Halim Halimi, tash kryetar i Asamblesë Komunale të Prishtinës, dhe ish-drejtorët Sabedin Haxhiu, Muhamet Gashi e Agim Dibrani.
“Të tillë si përfitues aty mund ta gjeni prej kryesuesit të Asamblesë komunale, Halim Halimi, i cili e ka fituar atë banesë si ish-drejtor, gjithashtu, Sabedin haxhiun, Muhamet Gashin e Agim Dibranin, të gjithë drejtorë në atë kohë kur ja kanë ndarë banesat vetes”, ka shtuar Kukaj.
Gjithashtu, pjesë e atyre që do t’u merren banesat, është edhe asambleisti nga radhët e PDK’së, Shemsi Veseli, i cili atë kohë ishte shef i grupit të asambleistëve të PDK’së./gazetametro.net