Nga 51 autobusë të rinj sa është paraparë të vijnë në Prishtinë, deri më tani kanë ardhur vetëm 15 prej tyre.
Në ndërkohë kanë pasur të vijnë edhe pjesa e dytë, mirëpo, përkundër deklarimeve 15 autobusët e tjerë ende nuk kanë arritur.
E një gjë e tillë nuk do jetë e mundur pa përfundimin e renovimit të garazhit.
Kështu ka deklaruar për Indeksonline, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili thotë se përfundimit i garazhit ka qenë kusht në kredinë e BERZH-it.
“Për lëshimin e pjesës së dytë të autobusëve kusht në kredinë e BERZH është përfundimi i renovimit të garazhit”, ka thënë Ahmeti.
E për përfundimin e renovimit të garazhit, Ahmeti thotë se kanë mbetur edhe pak ditë. Megjithëse, nuk specifikon një datë të saktë, ai thotë se pjesa e dytë e autobusëve të rinj do arrijë gjatë verës.
“Për përfundimin e garazhit kanë mbet edhe pak ditë punë por pa përfunduar nuk munden me u nisë. Vijnë gjatë verës”, ka shtuar kryetari i Prishtinës.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës në shtator të vitit të kaluar ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Iveco” për furnizimin me 51 autobusë të rinj- të cilët do të shfrytëzohen për transport publik të kryeqytetit.
Në fund të dhjetorit 2016 kanë ardhur 15 të parët, të cilët janë në qarkullim nëpër Prishtinë që nga shkurti i këtij viti.