Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës (AGK) këto ditë do të analizojë situatën e krijuar së fundi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me ç`rast u mbyllën për media dy gjykimet ndër më të përfolurat, afera “Stenta” dhe rasti i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj.
Përfaqësues të asociacionit i kanë thënë “Kohës Ditore” se së shpejti do të mblidhet bordi ku pritet të diskutohen propozime të ndryshme, duke përfshirë edhe atë për shqyrtimin e rrethanave rreth raportimit të mediave për punën e gjykatave.
Mbyllja e gjykimeve është ngritur si shqetësim edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), duke thënë se kjo situatë vë në dyshim vendimet e gjykatave. Ata i kanë bërë thirrje sistemit gjyqësor që të korrigjojë këto vendime.
Dy proceset gjyqësore, afera “Stenta” dhe rasti i Mekajt janë mbyllur për media të mërkurën nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Mungesa e hapësirës është gjetur si pretekst për përjashtimin e gazetarëve në rastin “Stenta”.