Na ndajnë edhe dy orë nga përballja e shumë pritur mes Ballkanit dhe Zalgiris në kuadër të fazës së parë të Ligës së Kampionëve. Në lidhur me këtë ndeshje në një prononcim për Gazeta Metro ka folur trajneri dhe analisti, Afrim Tovërlani (Toki), për të cilin sonte asnjëra skuadër nuk është favorite, transmeton Gazeta Metro.
Me fillim nga ora 20:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë kampioni i Superligës së Kosovës, Ballkani për herë të parë në histori të saj në garat europiane do të ndeshet kundër kampionit në fuqi të Lituanisë, Zalgiris.
Ish-trajneri i shumë skuadrave kosovare, Afrim Tovërlani, për Gazeta Metro ka thënë se sonte për suharekasit me rëndësi është të arrijnë të paktën një fitore minimale. Por, ka treguar edhe për përparësitë që mund të ketë skuadra nga Lituania.
”Realisht po mendoj që gjasat i kanë të barabarta të dyja ekipet, po mendoj kështu se edhe Zalgirisi bën pjesë në një ligë përafërsisht sikur e jona. Me rëndësi është që Ballkani minimumi të arrijë një fitore minimale dhe të udhëtojë në ndeshjen e kthimit. Përparësi e tyre është se ata janë në zhvillim të kampionatit kurse tek ne ka qenë pauzë dhe faza përgatitore. Se sa është komponuar Ballkani gjatë kësaj faze mbetet ta shohim prej orës 20:00,” tha Tovërlani.
I pyetur se nëse mendon që sonte ndonjë futbollist i skuadrës së Ilir Dajës mund të bëj diferencën në fushë, ai u përgjigj duke thënë: ”Jo nuk e kam asnjë, por duhet të shikojmë vetëm këtë ndeshje të parë sepse gjithçka është shumë diskutabile dhe tek mas kësaj sfide mund të japim ndonjë konkludim më ndryshe.”
Kujtojmë që ballafaqimi i dytë do të zhvillohet javën tjetër më 12 korrik në Lituani dhe skuadra e cila do të kualifikohet në raundin tjetër përballet me fituesin e ndeshjes Malmo-Vikingur Reykjavik. /gazetametro.net