Aktori e tashmë deputeti nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci, si duket nuk mund të dal nga roli i tij.
Deputeti i cili me profesion është aktor por edhe regjisor, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin sa më shumë në protestën e 29 shtatorit të organizuar nga Vetëvendosje, transmeton gazetametro.net
Por, ai ka vendosur që këtë ta bëjë në një mënyrë të veçantë, në një mënyrë artistike, duke u munduar të depërtojë në emocionet e njerëzve.
Përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare të Vetëvendosjes, Mikullovci thirrjen e tij për pjesëmarrje në protest e fillon duke thënë se mbrëmë e kishte parë presidentin Thaçi në ëndërr.
Më pas, në atë ëndërr, e kishte kapur Thaçin për jake dhe i kishte bërtitur duke i thënë që të zgjohet se e ka marrë popullin në qafë me politikat e tij.
“Mbrëmë, e pash një ëndërr të çuditshme. I hyra në zyre Presidentit, e kapa për jakë dhe i bërtita: “Zgjohu burrë! Zgjohu! Zgjohu se na more në qafë. Zgjohu dhe shikoje fukarallëkun që e ka kapluar Kosovën. Shikoje rininë ka bredh rrugëve të papunë me duar në xhepa. Këtë situatë e ke pru ti, me politikat e tua të mbrapshta. Zgjohu!”.
Por, Mikullovci vazhdon tutje, Thaçi nuk u zgjua, por u zgjua ai.
“Ai nuk u zgjua, por u zgjova unë. U zgjova i frikësuar, i djersitur por besa edhe i vendosur. Jeta është e ëmbël, e bukur por diku n’gjeti se neve të shkretëve kurrë nuk na u hoq gazepi”, thotë ai.
Tutje, ai fton qytetarët që të marrin pjesë sa më masivisht në protestën e 29 shtatorit.
“Ju ftoj që i madh e i vogël me 29 shtator, ora 14:00, të dalim të gjithë, ama të gjithë në sheshin e Prishtinës dhe t’i themi njëherë e përgjithmonë edhe Hashimit tonë edhe Vuçiqit të Serbisë mjaft më! Kosova nuk bënë pazarllëqe me tokat e veta! Kosova është gjaku im që nuk falet!”, përfundon Mikullovci. /gazetametro.net