Opinionisti Lumir Abdixhiku vlerëson se mos-koordinimi i klasës politike është shkaktar që kosovarët nuk mund të lëvizin lirshëm.
Në ditën kur gjeorgjianët kanë nisur të lëvizin lirshëm në Evropë, Abdixhiku në Interaktiv të KTV-së ka kritikuar politikanët për bllokadën e qytetarëve të Kosovës, ndërsa ka thënë se ata për vete mund të lëvizin lirshëm.
“Do të duhej të ishte ditë e madhe, por për shkak të politikës mbetemi të izoluar. Duhet thënë se klasa politike po ka lëvizje të lirë, dyshtetësi, e pakuptueshme si një problem i brendshëm teknik të bllokojë lëvizjen e qytetarëve”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka përmendur demarkacionin, si kusht të BE-së për liberalizim të vizave, duke kërkuar konsensus të partive politike.
“Zgjidhja eventuale do të ishte marrëveshje konsensuale mes palëve për përfundimin e proceseve që kërkohen. Kërkohet vetëm përmbyllja e demaskimit. Nëse e humbim këtë rast, nuk e dimë kur do të na vijë më”, ka thënë ai.