Ish-deputeti Haki Abazi ngriti kritika ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se veprimet e tij politike po çojnë drejt dobësimit të shtetësisë së Kosovës, përcjell Gazeta Metro.
I ftuar në emisionin “DPT Te Fidani” në Klan Kosova, Abazi përmendi vizitën e Kurtit në Greqi, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, si një nga argumentet mbi të cilat ai mbështet qëndrimet e tij.
“Kurti është në misionin e tij të shpërbërjes së Republikës së Kosovës, kjo po vërtetohet realisht. Arsyeja që shkon në Greqi është se Greqia nuk e njeh Kosovën, kjo është fakt që Kurti nuk e njeh Republikën e Kosovës, Kurti është brenda Republikës për të shpërbërë Republikën. Për tri vite në mënyrë graduale është duke hequr copë-copë atribute të shtetit”, tha ai.
Abazi deklaroi gjithashtu se mungesa e funksionimit të plotë të Kuvendit dhe përplasjet me institucione të tjera janë tregues të një situate problematike institucionale.
“Për tre vite shtet parlamentar pa Kuvend, tregon që realisht është në shpërbërje të Republikës. Sulmi mbi sistemin e drejtësisë, sulmi mbi Gjykatën Kushtetuese, është atak mbi Kushtetutshmërinë e Republikës. Të gjithë ata që besojnë në Republikën e Kosovës, të gjithë ata që është baza e mendimit të krijimit të Republikës së Kosovës, prej presidentit Rugova dhe partisë që ai ka lënë prapa dhe mendimtarët që mendojnë që Republika e Kosovës është rruga drejt avancimit të interesave të shqiptarëve në Kosovë, janë armiq të Albin Kurtit. Për 6 vite as edhe një angazhim të vetëm për njohjen e Republikës së Kosovës”, tha ish-deputeti Abazi./gazetametro.net