Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Pal Lekaj, ka prezantuar një rezolutë për votim në të cilën kërkohët lirimi i menjëhershëm i kreut të kësaj partie, Ramush Haradinaj, dhe ndërprerja e dialogut derisa lirimi të ndodhë.
Lekaj i ka prezantuar tri pikat e rezolutës të cilat precizojnë se çka kërkojnë grupi i AAK’së. Në këto pika kërkohet lirimi i menjëhershëm i Ramush Haradinajt, kushtëzimi i dialogut me Serbinë derisa Haradinaj të lirohet, e gjithashtu i kërkohet institucioneve kosovare që të marrin të gjitha veprimet që të njoftoj shtetet tjera se i refuzon urdhërarrestet e Serbisë.
Por, kërsesën se AAK’së për këtë rezolutë, e kanë përkrahur vetëm Lëvizja Vetëvendosje dhe NISMA, të cilët u shprehen se pikat e rezolutës janë të nevojshme, shkruan gazetametro.net.
“Nëse Qeveria e Kosovës do ta kushtëzonte Serbinë me dialogun, do të ishte gjë e mirë. Më e pakta që mund të bëhet, është të kushtëzohet dialogu deri në lirimin e Haradinajt. VV’ja e përkrah fuqishëm”, ka thënë Glauk Konjufca i VV’së.
Ndërkaq, edhe Zafir Berisha nga NISMA e ka konsideruar si serioze këtë rezolutë, dhe ka shprehur përkrahjen.
“Edhe NISMA për Kosovën natyrisht se e përkrah këtë rezolutë. Kjo rezolutë mban elemente që na bën serioze”, ka thënë Berisha.
Por kanë qenë grupet më të mëdha parlamentare dhe pakicat që nuk e kanë përkrahur këtë formë, me ç’rast kanë kërkuar krijimin e një komisioni që do të hartonte një rezolutë të përbashkët.
“PDK’ja përsërit mospajtimin për vazhdimin e ndalimit të Haradinajt. Tashmë është tepruar gjithçka ndodhur rreth tij. Kërkoj që të koordinohemi për një rezolutë të përbashkët”, ka thënë Zenun Pajaziti, shef i grupit parlamentar të PDK’së.
Gjithashtu, edhe Ismet Beqiri i LDK’së ka kërkuar të njejtën gjë, duke sqaruar se LDK’ja ka qëndrimin e njejtë që dënon vazhdimin e ndalimit të Haradinajt.
“Ne edhe në seancën e kaluar si grup parlamentar, kemi thanën qëndrimin kundër për atë që po i ndodhë Haradinajt. Pajtohemi që sot të ketë një rezolutë, por të harmonizojmë një tekst për këtë rezolutë”, ka deklaruar Beqiri.
Ndërkaq, edhe deputetja Duda Balje nga 6+ ka kërkuar që të hartohet një rezolutë e përbashkët.
Kështu, duke konkluduar se shumica e deputetëve janë për krijimin e një komisioni për diskutimin dhe harmonizimin e rezolutës, Xhavit Haliti si udhëheqës i seancës ka kërkuar gjysmë ore pushim për t’u mbledhur komisioni./gazetametro.net