Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka demantuar lajmin e publikuar në media se kjo parti është pajtuar ta votojë ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, në një prononcim për Gazetën Metro, ka thënë se lajmi që partia ku ai bën pjesë do ta votojë demarkacionin me Malin e Zi është ‘tërësisht i pavërtetë’.
“Nuk është e vërtetë, ne vazhdojmë ta mbajmë atë qëndrim që kufiri duhet të mbetet aty ku është”, u shpreh Nitaj.
Ky demant vjen pas lajmit të publikuar nga portali lajmi.net se lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Europian, Angelina Eichhorst dhe kryeministrin Isa Mustafa, është pajtuar ta votojë demarkacionin me Malin e Zi me disa ndryshime të vogla, por që nuk do ta cenonin marrëveshjen si të tillë. /gazetametro.net