Pas vendimit që Ramush Haradinaj të mbahet në Francë deri më 6 prill, në pritje të vendimit për kërkesën e Serbisë, ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ata kanë thënë se shtyrja e vendimit edhe për një muaj, është abuzim me drejtësinë. Sipas tyre, ata po e provokojnë rëndë stabilitetin dhe paqen në Kosovë. Madje, AAK thotë se autoritetet në Francë janë vënë në shërbim të ish-bashkëpunëtorëve të Serbisë.
“Është e habitshme se si autoritetet gjyqësore të Francës, janë vënë në shërbim të ish bashkëpunëtorëve të Millosheviqit, të cilët përmes Haradinajt po e provokojnë rëndë stabilitetin dhe paqen në Kosovë”, thuhet në reagimin e AAK’së.
Tutje, AAK dyshon se mbajtja e Haradinajt në Francë është tendencë për mënjanim politik të tij.
Por, ata janë shprehur të bindur se Haradinaj do të lirohet pasi, sipas tyre, të ashtuquajturat dëshmi të Serbisë, janë shpifje.
“Ne jemi të bindur se Haradinaj do të lirohet, sepse të ashtuquajturat dëshmi të Serbisë kundër tij, janë trillime dhe shpifje ordinere, por autoritetet franceze duhet ta kuptojnë se drejtësia e vonuar është padrejtësi, dhe ato po e vonojnë drejtësinë në rastin Haradinaj”, përfundon reagimi i tyre.
Ndryshe, para pak minutash gjykata në Francë shtyu vendimin për Haradinajn deri më 6 prill për, siç kanë thënë ata, t’i japin kohë autoriteteve serbe të ofrojnë dëshmi të tjera./gazetametro.net