Pas publikimit të një video ku shiheshin disa njerëz duke vendosur, siç pretendonin ata, dinamit në rrugën ku do të kalojë treni kur të hyjë në Kosovë, reaguan edhe mediat serbe, duke raportuar se për këtë ngjarje kishin hetuar edhe Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës.
“Njësitet speciale të Policisë së Kosovës, kanë kontrolluar gjurmët në veri të Kosovës, pas lëshimit të pamjeve që tregojnë se si një person i panjohur ka bërë hedhjen e minave përgjatë binarëve si kërcënim që treni nga Beogradi shkoi në Mitrovicë”, shkruan RTS, duke pretenduar se këtë e ka thënë Policia e Kosovës.
Radio Televizioni i Serbisë tutje thotë se ka qenë e pamundur që të kuptohet kush ishin personat që shiheshin në video.
Ndërkohë, gazetametro.net ka provuar të flasë me Policinë e Kosovës, por të njejtët nuk janë përgjigjur.
Por, burime gazetametro.net në Policinë e Kosovës kanë treguar se kjo gjë nuk ka ndodhur, ani pse Njësitet elitare të Policisë gjenden në veri të Mitrovicës.
“Kam kontaktuar gjithë stacionet e Policisë në veri, por policia nuk ka ndërmarrë asnjë aksion, ani pse njësitet gjenden në veri”, ka thënë burimi.
Ndryshe, më herët u publikua në media një video ku shiheshin persona të panjohur tek vendosnin dinamite në rrugën ku pritet të kalojë treni i nisur nga Beogradi. Personat e panjohur pretendojnë se vendosjen e dinamiteve e kanë bërë në territorin e Kosovës, e cila përfshin 40 kilometra hekurudhë./gazetametro.net