Loading…

A po thyhet ​Ivanov, kërkon garanci nga Zaev për mandatimin e platformës shqiptare

  • 01/05/2017 | 15:16

A po thyhet ​Ivanov, kërkon garanci nga Zaev për mandatimin e platformës shqiptare

Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov ka kërkuar garanci nga Zoran Zaev se, uniteti i shtetit do të ruhet që t’ia japë mandatin.


Njoftimi erdhi nga zyra e kreut të shtetit, pas takimit që ai zhvilloi me zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee.

“Presidenti dënon çdo dhunë politike dhe fizike në Republikën e Maqedonisë dhe ka theksuar se vetëm nëpërmjet dialogut duhet të kërkohet patjetër zgjidhje”, thuhet në deklaratë.

Ivanov theksoi se, nëse ekziston udhëheqësi e vërtetë nga kryetarët e partive parlamentare, pengesa politike dhe juridike për ndarjen e mandatit për formim të Qeverisë mund të tejkalohet.

Në atë që tingëllon si një shenjë thyerjeje e tij, të njëjtat burime pohojnë se presidenti ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara për largimin e pengesave që pengojnë dorëzimin e mandatit qeverisës.

“Precedentët që kthehen në praktikë, – është shprehur ai, – dhe ilegalja që bëhet e ligjshme, minojnë parimet themelore demokratike”.

Për më tepër, Ivanov i ka kërkuar Zaevit të mbajë fjalën e dhënë publikisht, se do të ofrojë garanci së bashku me partnerët e koalicionit për forcimin e karakterit unitar të vendit, në përputhje me Kushtetutën.

“Qytetarët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe durim, – ishte apeli i Ivanovit, – sepse ekzistojnë zgjidhje që duhen mbështetur në logjikën e shëndoshë dhe dialogun”.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi deklaroi pas takimit me diplomatin amerikan se ka marrë prej tij mbështetje maksimale.

Yee, të dielën u takua me drejtuesit e partive shqiptare. Burime jozyrtare nga partitë politike thonë se, ata janë optimistë që ndikimi amerikan do të hapë rrugën e zgjidhjes së krizës së rënduar, pas incidentit të 27 prillit në Kuvend.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë