Loading…

A po shkrihen Himalajet?

  • 13/12/2016 | 21:46

A po shkrihen Himalajet?

Ngrohja e klimës në nivel global është dëshmuar së fundi edhe nga shkencëtarë, të cilët kanë përdorur pamje të satelitëve spiunë të epokës së Luftës së Ftohtë, për të zbuluar ndryshimet dramatike mjedisore në zonën e Himalajeve.

Ata kanë krahasuar pamjet e mbledhura nga një program amerikan i zbulimit me të dhënat e fundit satelitore të publikuara nga NASA, për të krahasuar shkallën e shkrirjes së akujve. Shkencëtarët besojnë gjithashtu se pamjet e deklasifikuara tashmë mund të ndihmojnë edhe në shfaqjen e ndryshimeve të ndodhura përgjatë viteve nëpër rajone të tjera.

Kërkimet janë prezantuar në takimin vjeshtor të Unionit amerikan të Gjeofizikës në San Francisco. “Këto imazhe do të shfrytëzohen dhe përdoren shumë më shumë nga sa mendohet”, tha Josh Maurer, nga Universiteti “Columbia” në Nju Jork. Imazhet janë marrë nga programi spiun satelitor i Shteteve të Bashkuara, që mbante emrin e koduar “Hexagon”.

Gjat viteve ’70-’80, Amerika lëshoi 20 satelitë të mëdhenj spiunazhi në hapësirë, të cilat fotografuan në sekret të plotë zonat e interesit. Pamjet janë lëshuar më pas nga satelitët dhe, me t’iu afruar sipërfaqes së Tokës, janë mbledhur nga avionët luftarakë në ajër.

Materialet e mbledhura janë deklasifikuar në vitin 2011 e tashmë po dixhitalizohen nga “USGS”, Shërbimi Gjeologjik amerikan, për t’u përdorur më pas nga shkencëtarët. Mes fotove të programit spiun ka edhe pamje të Himalajeve, një rajon për të cilin materialet historike janë tejet të pakta. Duke i krahasuar ato me rezultatet më të fundit të ofruara nga NASA apo JAXA (Agjencia japoneze e Hapësirës), shkencëtarët kanë mundur të shohin sesi ka ndryshuar ky rajon.

“Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të përcaktojmë saktësisht sasinë e akujve të shkrirë. Sa akull është humbur nga Himalajet dhe në çfarë përqindje”, tha Josh Maurer. “Ndaj ne përdorëm imazhet për të nxjerrë modelet 3D të Tokës në vitet ’70”.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë