A mundet një listë e përbashkët PDK-LDK-AAK-NISMA (+ disa nga partitë e pakicave) me i dal përballë LVV-së – si parakusht për përfundimin e bllokadës që po zgjetë një vit e gjysmë dhe nuk po i shihet fundi?
Shkëlzen Maliqi
Një ide e tillë të listës të përbashkët paska qarkullu edhe para zgjedhjeve të 7 qershorit, e tregoi Vjosa Osmani. Madje ajo tregoi se i kishte ardhur nga faktorët ndërkombëtarë, asaj i kishin sugjeruar që të jetë në krye të listës, si kundërpeshë ndaj ambicies të Albin Kurtit që të mbetet në pushtet qoftë si fitues absolut, qoftë përmes bllokadave të krijimit të shumicës që ia mundëson të mbetet përherë ushtrues i detyrës së kryeministrit.
Për Vjosa Osmanin, në kohën kur i propozuan këtë rol, – nuk tha se kush ishte ideatori prej ndërkombëtarëve, por meqë e tha në shumës, mbase e kishte fjalën për Kvintën e ambasadave – besohej se ende gëzonte popullaritet të mjaftueshëm në elektorat që si “Nëna Vjosë” presidente t’i konkurronte “Babë Albin” kryeministër, për ta ulur votën pro VV. Megjithatë, edhe pse refuzoi të jetë në krye të opozitës së bashkuar – kjo realisht nuk do të pranohej nga PDK-ja dhe AAK-ja për rolin që ka pasur Osmani në instalimin e Albin Kurtit për kryeministër – asaj i mbeti vetëm mundësia që ta bëjë marrëveshjen e çuditshme me Lumir Abdixhikun, ku ajo u bë kandidate e LDK-së për Presidente, kurse Lumiri sërish u kandidua për kryeministër. Me këtë formulë LDK-ja pati një rritje relative të votës që e këndelli deri diku nga katastrofa e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, e cila ishte gatuar nga vetë Vjosa Osmani, sepse ajo i shpalli zgjedhjet, sipas dëshirës së Kurtit, për 28 dhjetor 2025, me shpresën se kështu t’ia siguronte vetes mandatin e dytë për presidente, e që Kurti e injoroi dhe brutalisht e mashtroi.
Pasi që të gjitha manovrimet e tyre mbeten në vendnumërim, relevancat politike të Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit janë dëmtuar seriozisht, mbase edhe pariparueshëm, vetëm se ata nuk po e shohin këtë. Abdixhiku po kontestohet fuqishëm brenda LDK-së, dhe ai po e tregon mungesën e çdo kapaciteti për menaxhimin dhe pajtimin e fraksioneve. Ndërkaq Vjosa Osmani gjithnjë e më shumë po tregohet si figurante, e vetmuar dhe pa subjekt që e mbështet pas bredhjeve të saj politike, e kapur vetëm për skutat e Abdixhikut.
Megjithatë, a ka substancë racionale në idenë e një koalicioni të madh të opozitës mbi një platformë anti-Kurti?
Abstenimi i madh i votuesve në zgjedhjet e 7 qershorit është indikator i qartë se të gjitha partitë politike po humbin besimin, ku në krye të listës është VV-ja, dhe ku edhe partitë tjera duhet të mendojnë për resetime dhe reforma rrënjësore për të kthyer besimin në një program këndjellës të qeverisjes së vendit, e cila po vendnumëron tash e dy vjet intensivisht, ndërkaq që edhe qeverisja tashmë gjashtëvjeçare e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka arritur të realizojë thuajse asnjë nga premtimet e saj të mëdha që e sollën në pushtet, ku e mban vetëm demagogjia populiste.
Për krijimin e një subjekti të ri që do të plotësonte zbrazëtirën mbase është vonë dhe nuk janë plotësuar ende të gjitha kushtet. Por, një nismë programore me objektiva të qarta nga tri subjektet kryesore PDK, LDK dhe AAK – jo me figura politike të harxhuara dhe komprometuara, por me politikanë të pakomprometuar, të rinj dhe dinamikë – do të mund të trazonte moçalin e krijuar ndër vite. S’po përmend asnjë emër, por e dinë edhe vetë se ka të tillë, dhe kam dëgjuar nga shumë veta se më lehtë do ta kishin që t’i votonin 10 emra për deputetë nëse do t’i përzgjidhnin nga listat e partive të ndryshme, dhe jo detyrimisht të një liste partiake.
Mendoj se ka kuptim, ndonëse jo aq lehtë, që të bëhet një listë e përbashkët opozitare. Lumir Abdixhiku i frikësohet kësaj ideje, tha se me këtë VV-ja do të fitonte 80% të votave? Nuk e tha nga i vjen kjo profeci e frikshme. Ai ka qenë, për shkak të kësaj frike, pengesa kryesore pse pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kur partitë e opozitës i kishin më shumë deputetë se VV-ja, faktor bllokues, dhe deklaroi se s’bën koalicion me askënd, duke ia mundësuar Albinit të luajë lojën e bllokadave të Kuvendit.
Edhe Vjosa Osmani është treguar skeptike, por tani është edhe figurë e djegur për t’u bërë kundërpeshë e ushtruesit të përhershëm të detyrës së kryeministrit.
Por, mund ta provojnë bërjen e koalicionit të madh të tjerët – pa Abdixhikun dhe Vjosën – ata që kanë aftësi dhe vullnet për të hartuar një program këndjellës rreth 10-pikësh, për ato çështje që Albin Kurti po i mban zvarrë, s’po ka guximin t’i përmbushë, as në raportet me Serbinë, as në ekonomi, as në politikat energjetike, as në respektimin e ndarjes së pushteteve, as në koordinimin me aleatët strategjikë, as në luftimin e korrupsionit brenda bashkëpartiakëve dhe ministrave të vet.
Kemi politikanë të aftë dhe të guximshëm që mund ta nisin këndelljen, dhe që nuk janë ata të “politikës së vjetër”. Nëse jo tani, do të ndodhë pas ca kohe edhe kjo.