Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka treguar sot përmes një statusi në “Facebook” arsyet përse nuk e ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e mandatit të dytë për të qeverisur vendin.
Duke iu përgjigjur një komentues/i/eje me emrin “Trendy Alb”, për të cilin thotë se shkruan shpesh në mbrojtje të Ramës, Berisha thotë se një nga arsyet që nuk e ka uruar kryeministrin Rama është bojkoti nga 78% e shqiptarëve, shkruan gazeta Shekulli.
Statusi i plotë i Sali Berishës:
Përgjigje z/znj Trendy Alb!
Përshëndetje Trendy! Lidhur me pyetjen tuaj “pse nuk e kam uruar Edi Ramën?”, përgjigja ime është kjo:
Unë nuk e kam uruar Ramën sepse nuk mund ta uroj dot për arsyet që vijojnë.
Së pari, sepse fitoren e tij e ndëshkuan me votë ose me bojkot 78% e shqiptarëve. Kjo nuk është fitore e bekuar por është e përçmuar nga 54% e shqiptarëve, që zgjodhën bojkotin për të shprehur zemërimin dhe për të votuar kundër tij. Po t’u shtosh këtyre edhe 48% të atyre që shkuan tek kutitë e votimit dhe votuan kundër tij, del se kjo është fitorja më e gjymtuar që kur është votuar për herë të parë në zgjedhje pluraliste në Shqipëri.
Pra, a mund të uroj unë qeverisjen e 4/5 të shqiptareve nga 1/5 e tyre?! Kurrë jo. Natyrisht ka dhe një seri shkaqesh të tjera te njohura botërisht, por, unë e di se si ithtar i pakorrigjueshëm i Ramës, ti nuk i pranon ato (miq, Trendy ndërhyn shpesh në rrjetin tonë me komentet e tij në mbrojtje të Ramës por në tërësi ruan etiken), ndaj dhe unë të rendita vetëm njërin që nuk besoj se mund të kundërshtosh. Me respekt, sb!