Me 26 vjet e 6 muaj burgim janë dënuar shtatë ish-bashkëluftëtarët dhe dikur përkrahësit e kosovarit të kthyer në terrorist, Lavdërim Muhaxheri, ka vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës, të enjten.
Ernest Beqiri, Fisnik e Emri Bushi, Fidan Ibrahimaj, Kujtim Bllaca, Vehbi Gërxhaliu, si dhe Fitim Dema ishin akuzuar për rekrutim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste në Siri.
Ky është grupi i dytë prej 32 personave ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më datën 7 maj të vitit 2015.
Në mesin e këtyre të akuzuarve është edhe Irfan Aqifi. Mirëpo, për shkak se vitin e kaluar ai u ka ikur autoriteteve kosovare dhe tashmë dyshohet se ka shkuar në Siri, gjykata e ka veçuar procedurën ndaj tij.
Të akuzuarit e tjerë, gjatë procesit gjyqësor janë mbrojtur në liri. Që të gjithë ishin prezent, të enjten, derisa po shpallej aktgjykimi.