Loading…

56.38% e grave kanë fituar mandatin pa kuotë në Kuvendet Komunale

  • 01/07/2022 | 19:18

56.38% e grave kanë fituar mandatin pa kuotë në Kuvendet Komunale

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Kuvendet Komunale janë transformuar dukshëm nga përfaqësimi i grave, ku 56.38% e tyre kanë fituar mandatin pa kuotë gjinore. Kjo u bë e ditur në konferencën e organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) me temën “Ndikimi i ndryshimeve të Kuvendeve Komunale në kualitetin e politikave lokale”, ku publikua hulumtimi mbi pasqyrimin e përbërjes së Kuvendeve Komunale.


Në fjalën hyrëse të konferencës, Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Valmir Gashi, theksoi se ky dokument, do  t’u shërbejë akterëve që merren me qeverisjen lokale, organizatave vendore dhe ndërkombëtare, politikbërësve dhe vendimmarrësve. Raporti nxjerr disa statistika interesante sa i përket përfaqësimit në kuvende komunale, siç janë numri i madhe i të rinjve që janë për herë të parë në kuvend, të rinjve në kuvende komunale dhe ajo që është më e rëndësishme, përfaqësimi i grave, të cilat rreth 60% e tyre kanë fituar mandatin pa pasur nevojën e kuotës.

Ndërsa, Ferdi Kamberi, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, theksoi rëndësinë e këtij hulumtimi duke nënvizuar se është prej pikave më të rëndësishme për të parë përbërjen e Kuvendeve Komunale, njëherësh qasje e duhur për të diskutuar mes akterëve për problemet, sfidat dhe orientimet për të ardhmen.

Duke prezantuar hulumtimin, menaxheri i Programeve në Institutin KLGI, Besnik Muçaj, nënvizoi se nga zgjedhjet lokale të fundit, ka ndodhur një transformim i Kuvendeve Komunale nga përfaqësimi i grave. Megjithatë, theksoi se një analizë e tillë shërben për të matur mjedisin institucional të Kuvendeve Komunale e kapaciteteve të këshilltarëve komunalë.

Dokumenti analizon përbërjen Kuvendeve Komunale në Republikën e Kosovës, duke marrë parasysh disa faktorë si: moshën, mandatin dhe gjininë. Megjithatë, ky hulumtim, si faktor kontribuues, ka përfshirë edhe ndryshimet në Kuvendet Komunale, duke krahasuar numrin e mandateve për komuna. Pra, dokumenti pasqyron përbërjen dhe strukturën e Kuvendeve Komunale për mandatin 2021-2025.

Për më tepër, hulumtimi trajton mjedisin politik, institucional dhe të funksionimit të Kuvendeve Komunale; analizon, krahason aspekte kuantitative, ndër mandate dhe mes dy mandateve 2017-2021, duke reflektuar ndryshimet në moshë, në rizgjedhje (mandatarët e rinj), si dhe pasqyrimin në aspektin gjinor.

Instituti KLGI u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, nëpërmes programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.

Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë