Loading…

500 mijë Qeveria: Edhe komunat e Kosovës solidarizohen me të dëmtuarit, ndajnë para

  • 27/11/2019 | 15:14

500 mijë Qeveria: Edhe komunat e Kosovës solidarizohen me të dëmtuarit, ndajnë para

Përpos qytetarëve, dhe Qeverisë së Kosovës e cila dje ndau 500 mijë euro, ndihma financiare janë duke ndarë edhe komunat e Kosovës, shkruan Gazeta Metro.


Qeveria e Kosovës në një mbledhje urgjente ka vendosur të japë 500 mijë euro ndihmë për shtetin e Shqipërisë, ndërkohë që kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se përveç dërgimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në Shqipëri, ka urdhëruar edhe ndërmarrjet publike që të dërgojnë njësitet mbështetëse për ndihmë.

Gjithashtu, edhe Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi në mënyrë unanime për ndarjen e 50 mijë eurove për ndihmë nga pasojat e tërmetit në Shqipëri.

Po ashtu është bërë e ditur se ekipe të inxhinierëve nga komuna dhe NPB do t’i bashkëngjiten ekipeve të inxhinierëve të ndërtimtarisë nga Kosova e Shqipëria për të ndihmuar në vlerësimin e dëmeve në ndërtesa kolektive e në shkolla në Durrës e rrethinë.

Në anën tjetër edhe Komuna e Gjakovës ka ndarë 14 mijë euro si ndihmë për zonat e dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri.

“Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini në bazë të kompetencave nxjerr këtë vendim për dhënien e mjeteve financiare në vlerë 14,000€ nga Komuna e
Gjakovës për ndihmë për zonat e dëmtuara nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjakovës.

Mjetet e ndara do të derdhen në xhirollogarinë e hapur nga Shqipëria për fatkeqësi natyrore.

Edhe Komuna e Mitrovicës, në mbledhjen e mbajtur sot me propozim të kryetarit Agim Bahtiri ka marrë vendim për ndarjen e 20 mijë euro për Shqipërinë.

Poashtu, edhe Komuna e Obiliqt ka nisur grumbullimi i pakove ushqimore për t’i dërguar në Shqipëri, pas tërmetit të fuqishëm i cili shkaktoi viktime në njerëz dhe dëme materiale.

Me këtë rast kryetari i komunës, Xhafer Gashi, ka vizituar vendin ku po mblidhen këto pako për ta përkrahur këtë aksion.

“Organizimi i qytetarëve dhe tifozëve të FC KEK-ut, të cilët edhe janë organizator të këtij aksioni, të lë pa fjalë! Ju lumtë!”, tha ai.

Shteti i Kosovës do t’i vijë në ndihmë Shqipërisë me të gjithë kapacitetet teknike e financiare, me qëllim lehtësimin të pasojave që kanë shkaktuar tërmetet e ndodhura ditën e sotme.

Ndërsa, Minierat e Trepçës dhe Artanës kanë dërguar ekipet e shpëtimit, kurse Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), njësinë e zjarrfikësve.

Edhe qytetet e ndryshme të Kosovës kanë ofruar ndihma për të prekurit nga tërmeti dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve për solidaritet.

Edhe organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vënë në dispozicion të të prekurve nga tërmeti shumën e 5.000 eurove./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë