Loading…

26 për qind e fëmijëve në Kosovë kanë parë pornografi

  • 21/12/2016 | 17:08

26 për qind e fëmijëve në Kosovë kanë parë pornografi

“Rreth 26 për qind e fëmijëve kanë deklaruar që kanë parë përmbajtje pornografike në 12 muajt e fundit, prej të cilëve 10 për qind kanë parë çdo ditë ose gati çdo ditë”, thuhet në raport.


Rreziku që iu kanoset fëmijëve nga përdorimi i pakontrolluar i internetit në Kosovë konsiderohet shumë i lartë, përfshirë edhe ngacmimet seksuale që iu bëhen të miturve. Sipas disa statistikave që janë publikuar sot, e që bazohen në sondazhet në terren, 97 për qind e fëmijëve nga mosha 9 deri 15 vjet, e shfrytëzojnë internetin.

Qendra për Studime të Avancuara FIT në bashkëpunim me organizatën Save the Children në Kosovë të mërkurën ka bërë prezantimin e të gjeturave nga hulumtimi për vlerësimin e gjendjes dhe impaktin e projektit “Promovimi i përdorimit të internetit në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme nga ana e fëmijëve”.

Hulumtimi është zhvilluar me 1300 respondentë, nxënës të moshës 9-15 vjeç, në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan, dhe Ferizaj.

Në bazë të këtij hulumtimi del se rreth 97 për qind e të anketuarve kanë thënë se janë përdorues të internetit, ndërsa rreziku nga përdorimi i internetit konsiderohet të jetë i lartë.

“Rreth 26 për qind e fëmijëve kanë deklaruar që kanë parë përmbajtje pornografike në 12 muajt e fundit, prej të cilëve 10 për qind kanë parë çdo ditë ose gati çdo ditë”, thuhet në raportin e FIT.

Më tutje, 28 për qind e fëmijëve thuhet se janë ngacmuar përmes internetit gjatë 12 muajve të fundit. Prej tyre, 22 për qind pranojnë se nuk kanë bashkëbiseduar me asnjë të afërt për shqetësimet që i kanë pasur nga ngacmimet në internet.

Ndërsa sa i përket aktiviteteve më të pëlqyera në internet, fëmijët janë përgjigjur se më së shumti preferojnë përdorimit e rrjetit social Instagram dhe Youtube.

Pjesë e panelit prezantues ishin: Agim Bërdyna, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Teuta Zymeri drejtoreshë ekzekutive në Qendrën FIT, Genta Gagica përfaqësuese e Save the Children, dhe Anil Gashi, koordinator i Projekteve në Qendrën FIT.

Ndryshe, gjatë kësaj ceremonie u bë edhe lansimi i TV animacionit “Mos e leni profilin tuaj publik” i cili si synim ka ngritjen e vetëdijes për të rinjtë rreth privatësisë së tyre gjatë përdorimit të rrjeteve sociale./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë