Që nga e enjtja e 27 shtatorit, Arbnora Dobra, 22 vjeçare, nga qyteti i Skenderajt, u paraqit si person i zhdukur nga ana e familjarëve. Ajo mëngjesin e së enjtes kishte marrë rrugë drejt Mitrovicës gjoja për një intervistë pune. Por, që nga ai moment ajo më nuk i është lajmëruar familjes e as të fejuarit të saj, i cili gjendet në Skenderaj.
Por katër ditë pas, policia e Kosovës ka dhënë detaje për këtë rast, duke thënë se Arbnora në mënyrë të rregullt e ka kaluar kufirin e njërit nga shtetet fqinje.
E për këtë punë është njoftuar edhe familja e Arbnorës. Vëllai i saj, Driloni, i tha Expressit, se Arbnora mund të ketë shkuar në Maqedoni. Ai thotë se nuk i dinë arsyet e largimit të Arbnores nga shtëpia.
“Jam mirë, mos u brengosni për mua”, është komunikimi i vetëm që familja ka pasur me Arbnoren që prej largimit të saj nga shtëpia. Kështu i tha Gazetës vëllai i 22-vjecares.
Ai thotë se Arbnora mund të jetë në Maqedoni.
“Edhe ne para pak minutave e morëm lajmin se Arbnora ka kaluar kufirin. Mendojmë se ka shkuar në Maqedoni. Nuk i dimë arsyet pse u largua nga shtëpia. Ky është është rast shumë specifik. I fejuari i saj është këtu në Skenderaj”, ka deklaruar vëllai i saj.
E rreth kësaj çështjeje, Policia e Kosovës njofton se vajza nga Skenderaj, e cila ishte raportuar e zhdukur, gjendet në një shtet fqinj të Kosovës. Sipas policisë bazuar në të dhënat e deritanishme është konstatuar se personi në fjalë, në mënyrë të rregullt ka kaluar në një shtet fqinj të Republikës së Kosovës, nga ku pala ka kontaktuar me familjarët e saj.
“Përveç familjarëve të viktimës me të cilët jemi në kontakt për zhvillimet rreth rastit, ne si polici zyrtarisht kemi njoftuar edhe institucionet e shtetit fqinjë dhe bashkërisht jemi duke punuar për identifikimin e vendndodhjes së viktimës si dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, thuhet në deklaratën e policisë.
Rasti i zhdukjes është paraqitur të premten në njërin prej stacioneve të policisë në Prishtinë, nga vëllai i saj.