Buxheti i Kovoës për vitin 2017, është votuar mbrëmë në Kuvendin e Kosovës, në orë të vona të natës. Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë mbi 2 miliardë euro. Kryeministri i vendit, Isa Mustafa në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se vitin 2017 e quan si vit i mundësive të reja për avancime në të gjitha fushat.
Sipas Mustafës ky buxhet do të siguroj zhvillim të qëndrueshëm dhe reflektues në mënyrë të drejtëpërdrejtë në programin e koalicionit qeveritar.
“Buxheti 2 Miliardësh, i cili u aprovua në Kuvendin e Republikës së Kosovës siguron zhvillim të qëndrueshëm dhe reflekton në mënyrë të drejtpërdrejt programin e koalicionit qeveritar. Ky Buxhet, i cili do të zbatohet me përkushtim maksimal mundëson realizimin e objektivave tona të përbashkëta për zhvillimin e vendit, për rritje ekonomike, për krijimin e vendeve të reja të punës, për mirëqenie sociale dhe po ashtu për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. 2017 është vit i mundësive të reja për avancim në të gjitha fushat. Urime!”, ka shkruar Mustafa.
Për buxhetin e 2017’ës kanë votuar 77 deputetë. 69 kanë qenë për, 7 kundër, ndërkaq 1 deputet ka abstenuar./gazetametro.net