Loading…

18 vjetori i rënies së Ilaz Kodrës

  • 30/04/2017 | 08:15

18 vjetori i rënies së Ilaz Kodrës

Sot mbushen tetëmbëdhjetë vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.


Ilaz Ismajl Kodra lindi më 3 maj të vitit 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.

Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit. Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur. Atje, me dijeninë e kryetarit Ramiz Alia ishte caktuar një grup oficerësh shqiptarë: Ylli Mici, Hysen Imeri, Agron Dhimarko e të tjerë, të cilët morën pjesë në stërvitjen e tyre ushtarake, meqë ata ishin përcaktuar për luftë të armatosur kundër pushtuesit dhe jo për politikën pacifiste të pritjes dhe durimit deri në skllavëri e nënshtrim.

Stërvitja e Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, Ilaz Kodrës, Zahir Pajazitit dhe shumë të tjerëve, edhe pse ishte mbajtur top sekret shtetëror, qysh gjatë asaj kohe e kishte zbuluar shërbimi sekret serb, përmes informatorëve të veta në Tiranë, në mërgatë dhe në Kosovë.

Në aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë tw daltws 4.10.1996, lidhur me ndjekjen që kishte filluar kundër Adem Jasharit, Ilaz Kodrës, Besim Ramës, Avni Nurës, Jakup Nurës, Fadil Kodrës, Nuredin Lushtakut, Rafet Ramës, Sami Lushtakut, Rexhep Selimit, Hashim Thaçit, Sahit Jasharit, Zenun Kodrës, Ali Januzit dhe Idriz Asllanit, thuhet se të gjithë këta akuzohen se “në gjysmën e dytë të vitit 1992, pas qëndrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, ku së bashku, ushtarakisht janë stërvitur me pjesëtarët e armatës shqiptare nën komandën e eprorëve të tyre.

Në territorin e komunës së Skënderajt kanë formuar grupin “terrorist armiqësor” dhe së bashku me shumë persona ende të paidentifikuar janë bërë anëtarë të të njëjtit grup, kanë filluar armatosjen e grupit dhe për këtë qëllim kanë siguruar sasi të madhe të armëve, municionit dhe të mjeteve eksplozive, pushkë, automatikë, pushkë me snajp er, revolverë, bomba dore, mina, trombllonë dhe pajisje të ndryshme ushtarake.

Qysh në vitin 1991, Ilaz Kodra bashkë me Adem Jasharin, kanë shkuar në Shqipëri, ku edhe i kanë kryer stërvitjet ushtarake dhe kanë mësuar taktikat e sulmit dhe të tërheqjes. Ai e ka kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar ilegalisht disa herë. Një kohë të shkurtër qëndroi edhe në Gjermani, në Mynih ku kishte zhvilluar një aktivitet të fortë atdhetar dhe kishte bindur bashkatdhetarët që ta ndihmojnë luftën dhe të rreshtohen në radhët e UÇK-së.

Në periudhën para fillimit të luftës së hapur kundër forcave pushtuese serbe, Ilaz Kodra mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve. Po ashtu, ai mori pjesë edhe betejën e njohur të Rezallës së Re, (Ish-Ludovik) betejë kjo që u zhvillua më 26 nëntor të vitit 1997.

 

 

 

 

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë