Në komunën e Prishtinës para 3 muajsh ka filluar skriningu për kancerin e qafës së mitrës, përmes të cilit pacientet potencialisht të shëndosha kontrollohen si masë parandaluese ndaj sëmundjes eventuale.
Komuna e Prishtinës njofton se deri sot janë ekzaminuar 1500 gra dhe se nga ky numër 10.4% e grave kanë rezultuar me ndryshime të natyrave të llojllojshme.
Gjatë këtij ekzaminimi është zbuluar se disa gra kanë kancer në fazën e parë, dhe me intervenimet më të thjeshta me kosto shumë më të vogël, ato do të shërohen.
“Ky skrining do të vazhdojë dhe do të bëhen edhe skriningje tjera në mënyrë që parandalimi dhe vetëdijesimi të mbeten synimet kryesore të Kujdesit Parësor Shëndetësor në Komunën e Prishtinës”, thuhet në njoftimin nga Komuna e Prishtinës.
Gjithashtu në njoftim thuhet se projekti ka treguar se bashkëpunimi korrekt ndërinstitucional, çdo herë shoqërohet me rezultate konkrete dhe rritje të cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe parandalimin efikas të shumë problemeve me të cilat përballet shëndetësia./gazetametro.net