Loading…

11 arsye pse Melania Trump nuk është budallaqe (Foto)

  • 21/01/2017 | 22:31

11 arsye pse Melania Trump nuk është budallaqe (Foto)

Ata që ndjekin mediat amerikane, apo thjesht paragjykimin e tyre, mund të kenë krijuar një opinion që zonja e parë, Melania Trump është thjesht një bukuroshe, e cila “iu ngjit” një burri me lekë dhe fati (i madh) e çoi në Shtëpinë e Bardhë.


Natyrisht këtë paragjykim e ndihmon edhe fakti që Melania është e bukur, ka lindur në një familje me të ardhura mesatare, ka punuar si modele dhe nëpër internet qarkullojnë foto të saj nudo.

Por nga intervistat e saj të herëpashershme, që kur u martua me Trump-in më 22 janar të vitit 2005, kuptojmë se ajo vetëm një “bukuroshe materialiste” nuk ka qënë kurrë.

1. Fqinjët në qytezën e saj e kujtojnë me dashuri

Melania (emri i saj Melanija Knavs) ka lindur në Novo Mesto në 1970-ën dhe u rrit në qytezën e Sevnicës, në Slloveni. Babai i saj shiste makina dhe e ëma pikturonte dizenjo në një fabrikë tekstilesh. “Ajo është shumë njeri i mirë, shumë e mençur dhe shumë inovatore.”, tregon për CNN fqinja e saj, Mirjana Jelancic.

Melania e vogël (e dyta, djathtas)

Melania me prindërit

  2. Ish-i dashuri tregon se ajo kishte ëndrra të mëdha

Ish-i-dashuri i saj, Jure Zorcic, në një intervistë për ABC News tregon se Melania edhe pse e rritur në një qytezë të vogël të ish-Jugosllavisë, asnjëherë nuk ishte një vajzë tipike sllovene. Ajo ëndërronte të jetonte jashtë, në Itali, Francë e të punonte në fushën e modës. “Ajo është shumë speciale. Kur e takova për herë të parë, u befasova nga bukuria e saj dhe nga stili me shumë klas i të veshurit.

  3. Melania krijoi vetë të ardhurat e saj, përpara Donald Trump-it

Përpara se të njihej me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Melania nuk ishte një modele e dorës së dytë. Ajo ka marrë pjesë në disa fushata të rëndësishme publicitare me fotografë të njohur si: Patric Demarchelier, Helmut Newton, Mario Testino etj. Melania ka qënë në kopertinat e Vogue, Harper’s Bazaar, British GQ, Ocean Drive, In Style etj.

 4. Përpara se të harxhojë paratë e të shoqit, Melania nuk harron nga ka ardhur

Kur gazetari i famshëm Larry King e pyeti në 2005-ën Melania Trump-in sesa shpenzon me këtë jetë luksoze që bën së bashku me të shoqin Trump, ajo u përgjigj: “Unë nuk blej kot. Nuk blej diçka që ta vesh vetëm sot e ta hedh pastaj. Unë e njoh vlerën e parasë, se e kam fituar vetë atë, përpara se të njihja bashkëshortin tim. E di se si ta kursej paranë.” Ndërsa Trump shtoi: “Gra të tjera mund të përfitonin nga mua, por Melania s’e ka bërë kurrë. Ajo gjithmonë është e kujdesshme me financat. “

5. Pavarësisht famës së të shoqit, Melania ka preferuar një jetë diskrete familjare

E lindur nën shenjën e Demit, Melanisë i vjen natyrshëm të dojë familjen. Por edhe ta mbrojë atë. Edhe pse ka pasur mundësi të shfaqej kudo me të shoqin gjatë gjithë këtyre viteve, ajo ka preferuar të duket vetëm kur i duhej të promovonte linjën e saj të bizhuterive Melania Timepieces & Jewelry, ose kohët e fundit, kur i duhej të mbështeste bashkëshortin në dalje publike dhe intervista. “Melania është një nënë e mrekullueshme”, tregon Donald Trump. Nga ana e saj, Melania thotë se: “Trump është gjithë kohës në punë dhe unë e kuptoj këtë, ndaj përpiqem që të shpenzojë sa më shumë kohë me tim bir. Është e rëndësishme që djali im të ndiejë gjithmonë praninë e nënës.”

6. Melania është tradicionale dhe e ka pranuar të shoqin si është

Për Larry King në 2005-ën, Melania tregon: “Unë e njoh Donaldin, e di sesa shumë e dashuron ai punën e tij dhe sa shumë lodhet duke punuar nga mëngjesi deri në darkë. Ndaj nuk kam sesi të grindem e t’i kërkoj të vijë më herët në shtëpi, sepse e kuptoj që puna është dashuria e tij. Ne të dy jemi bashkë, por kemi edhe jetët tona dhe respektojmë hapësirën e njëri-tjetrit.

 7. Melania nuk ia dha numrin Donald Trump-it në takimin e parë

Të të “gjuajë” një nga miliarderët e Amerikës, është tunduese, por Melania rrëfen se kur Donald Trump i kërkoi numrin e telefonit në takimin e parë, ajo e refuzoi dhe preferoi që ta kishte vetë numrin e tij. Më pas ishte ajo që zgjodhi ta telefononte.

 8. Melania e mbështet të shoqin, pavarësisht çdo akuze

Në një intervistë për Anderson Cooper (CNN, 2015), Melania komentoi videon ku tregohej sesi Trump fliste për femra të tjera, si një sulm për kundërshtarët. “Ajo video ka shumë vjet që është regjistruar dhe është regjistruar me qëllim që të ruhej për t’i bërë dëm një ditë bashkëshortit tim. Unë nuk u shqetësova, ato janë biseda çunash dhe çunat kanë gjithmonë nevojë të mburren kur flasin me njëri-tjetrin.” Përsa i përket akuzave nga gra të tjera që akuzuan Trump-in se i kishte ngacmuar seksualisht, Melania u përgjigj: “Fillimisht ato duhet të ngrenë padi në gjykatë e jo të flasin në media. Pastaj duhet të shohim dy anët e medaljes. Ka shumë vajza e gra të pacipa që “i hidhen” në qafë tim shoqi dhe i japin numrin e telefonit, vetëm se e njohin pushtetin dhe pasurinë e tij. Më ka qëlluar të kem qënë prezent, kur vajza përpiqeshin të flirtonin me të dhe unë i thoja: “Si mund ta bësh këtë?”

 9.  Melania nuk është “një kukull mbi televizor.”

Për Larry King në 2005-ën, Donald Trump tregon: “Është e pabesueshme sesa njësoj jam unë dhe Melania. Kemi të njëjtat shije, të njëjtin koncept për jetën. Unë gjithmonë marr këshilla prej saj, se ajo në fund të fundit, është gruaja ime.” Nga ana e saj, Melania tregon se e ka ndjekur në mënyrë sistematike fushatën dhe lexon çdo gjë që shkruhet për Trump-in. “Ka shumë të pavërteta, por ka edhe raste që nuk më pëlqen sesi reagon im shoq dhe i them që duhet të jetë më i butë. Por nga ana tjetër, ai është ai që është, kështu ka qënë gjithmonë dhe unë e respektoj për këtë.”

 10. Melania është një europiane e lirë

Kur në media dolën fotot nudo të Melania-s, ajo nuk u shqetësua aspak. Përkundrazi tha se “Ishte krenare për fotot dhe për trupin e saj.” Në Amerikë, është gati e paimagjinueshme që zonjat e para të kenë një histori fotosh sensuale/erotike, por Melania është europiane. Ajo ka jetuar dhe ka punuar në Europë dhe në kontinentin tonë, këto foto nuk përbëjnë asnjë problem, përderisa në parlamente të vendeve të ndryshme (si Italia psh) janë ulur edhe ish-aktore pornografike.

 11. Melania nuk është Miss-i kundër varfërisë

E pyetur nga NBC se çfarë do të bënte ajo si zonjë e parë, Melania tregoi se e kishte të qartë planin e saj: “Do të luftoj me sa të mundem të ndërtoj një program që mbron fëmijët nga aksesi i tepërt në internet dhe nga fyerjet që bëhen. Interneti është sa i mirë, aq edhe i rrezikshëm për fëmijët dhe unë nuk dua që fëmija im dhe fëmijët e tjerë të ballafaqohen çdo ditë me forma nga më të ulëtat të bulizmit dhe fyerjeve.”

 

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë