Qeveria Kurti ka shpenzuar 997.9 milionë euro në tremujorin e dytë të 2026-s, mbi 213 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e kanë marrë kontributet sociale dhe përfitimet, shkruan Gazeta Metro.
Shpenzimet e Qeverisë në detyrë në tremujorin e dytë të vitit 2026 kanë shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa të hyrat kanë mbetur pothuajse në të njëjtin nivel.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se rritja e shpenzimeve është nxitur veçanërisht nga kontributet sociale dhe përfitimet.
“Shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në Kosovë kanë arritur në 997.9 milionë euro në TM2 2026, nga 784.9 milionë euro sa ishin në TM2 2025. Kjo paraqet një rritje prej 213 milionë eurosh, apo rreth 27.1 për qind brenda një viti”.
Pjesën më të madhe të shpenzimeve në TM2 2026 e përbëjnë kontributet sociale dhe përfitimet, të cilat përbëjnë rreth 36 për qind të totalit.
Kjo kategori ka arritur në 356.6 milionë euro, krahasuar me 207.4 milionë euro në TM2 2025. Pra, vetëm në këtë kategori, shpenzimet janë rritur për rreth 149.2 milionë euro, duke përbërë pjesën kryesore të rritjes së përgjithshme të shpenzimeve.

Kategoria e dytë për nga pesha është kompensimi i punëtorëve, që përbën 24 për qind të shpenzimeve. Në TM2 2026, për këtë qëllim janë shpenzuar 244.1 milionë euro, nga 221.1 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rritja në këtë kategori është 23 milionë euro.
Ndërkohë, konsumi i ndërmjetëm përbën rreth 13 për qind të shpenzimeve. Ai ka arritur në 132.7 milionë euro, krahasuar me 109.4 milionë euro në TM2 2025, që nënkupton një rritje prej 23.3 milionë eurosh.
Një tjetër kategori me rritje është transferet e tjera, ku shpenzimet kanë kaluar nga 32.8 milionë euro në TM2 2025 në 56.3 milionë euro në TM2 2026. Diferenca në këtë rast është 23.5 milionë euro.
Po ashtu, formimi i kapitalit bruto, i cili përbën rreth 12 për qind të shpenzimeve të përgjithshme, ka arritur në 118.8 milionë euro, nga 115.2 milionë euro një vit më parë, me një rritje prej 3.6 milionë eurosh.

Në kategoritë e tjera, shpenzimet kanë pasur lëvizje më të ndryshme. Subvencionet janë rritur nga 44.1 milionë në 47.6 milionë euro, ndërsa tatimet rrjedhëse në të ardhura dhe pasuri kanë rënë lehtë, nga 14.5 milionë në 13.9 milionë euro. Shpenzimet për aktivet dhe detyrimet financiare janë përgjysmuar pothuajse, nga 25.1 milionë në 12.7 milionë euro.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se shpenzimet për përdorimin e aktiveve joprodhuese janë rritur nga 7.5 milionë në 15 milionë euro, ndërsa transfertat kapitale kanë shënuar një nivel shumë të ulët, me vetëm 0.1 milionë euro në TM2 2026, krahasuar me 7.8 milionë euro në TM2 2025.
Në anën tjetër, të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme kanë mbetur pothuajse të pandryshuara. Në TM2 2026 ato ishin 974.7 milionë euro, ndërsa në TM2 2025 ishin 972.6 milionë euro.
Rritja e të hyrave ishte vetëm 2.1 milionë euro, ose rreth 0.2 për qind, shumë më e ulët krahasuar me rritjen e shpenzimeve prej 213 milionë eurosh.
Struktura e të hyrave dominohet nga tatimet në produkte, të cilat përbëjnë rreth 67 për qind të totalit, ndërsa tatimet rrjedhëse në të ardhura përbëjnë rreth 18 për qind. Aktivet dhe detyrimet financiare përbëjnë rreth 7 për qind, ndërsa pjesa tjetër e të hyrave shpërndahet në kategori të tjera.
“Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë Tatimet në produkte, të cilat paraqesin 67% të gjithsej të hyrave, Tatimet rrjedhëse në të ardhura 18%, Aktivet dhe detyrimet financiare 7%, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori tjera të të hyrave”. /gazetametro.net
