Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, takoi drejtorin ekzekutiv të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxhën, me të cilin biseduan për mundësitë e bashkëpunimit në rritjen e konkurrencës në sektorin e prodhimit, që ndikon drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës.
Me këtë rast është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit me Klubin e Prodhueseve të Kosovës për të realizuar projekte të përbashkëta që kanë për synim rritjen e konkurrencës në sektorin e prodhimit në Kosovë.
Ministri Shala potencoi se forcimi sektorit të prodhimit ndikon drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në përgjithësi në zhvillimin ekonomik të vendit. “Ky bashkëpunim përfshin shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve, statistikave me të cilat disponojnë palët dhe që nuk paraqesin fshehtësi, që ka të bëjë me projektin e platformës “Made in Kosova” dhe projekte tjera në të ardhmen ”, tha ministri Shala.
Ndryshe, memorandumi parasheh mbështetjen e palëve në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me konkurrencën e kompanive vendore në tregun vendor, rajonal dhe evropian duke mbështetur edhe organizimin e panaireve të përbashkëta për të promovuar bizneset prodhuese dhe produktet “Made in Kosova”.