Presidentja Vjosa Osmani në një ceremoni solemne sot ka dorëzuar medaljen presidenciale post-mortem për Beau Biden, djali i presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për kontributin e tij në fushën e drejtësisë pas luftës në Kosovë.
Medalja presidenciale është pranuar nga ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, ndërsa përmes video-mesazhit të pranishmëve iu është drejtuar presidenti Biden.
Në këtë ceremoni përveç presidentes Vjosa Osmani, morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të institucioneve dhe partive politike, si dhe ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett.
Presidentja Osmani në fjalimin e saj ka çmuar lart rolin që Beau Biden kishte në trajnimin e gjyqtarëve dhe themelimin e institucioneve të Kosovës së pasluftës.
“Janë të paktë njerëzit sikur i ndjeri Joseph Robinette “Beau” Biden i treti, të cilët e kanë shfaqur aq fuqishëm këtë përkushtim ndaj vendit dhe shërbimit për të, duke shërbyer si kapiten në Gardën Kombëtare të Ushtrisë Delaware, në Irak, pastaj si prokuror në zyrën e prokurorit amerikan në Philadelphia për nëntë vjet, dhe si i zgjedhur dy herë në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm në Delaware. Në Kosovë, Beau Biden punoi për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit. Andaj, jam shumë e nderuar që sot, së bashku me ju, mund t’ia njohim meritat Beau Bidenit dhe ta festojmë zyrtarisht kontributin e tij për vendin tonë… Krijimi i institucioneve dhe trajnimi i gjyqtarëve, të cilin, së bashku me kolegët e tjerë amerikanë, Beau Biden e filloi para pavarësisë, sot përbën njërën ndër shtyllat kryesore të institucioneve më të rëndësishme të Kosovës”, tha Osmani.
Për më tepër, Osmani ka përmendur edhe rolin e presidentit Joe Biden për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
“Prandaj, në emër të popullit të Kosovës dua t’ju siguroj se, sikur që Kosova zë vend të veçantë në zemrat e familjes Biden, edhe familja Biden dhe populli amerikan zënë vend të veçantë në zemrat tona. Ashtu si djali i tij i dashur, Beau, edhe vetë Presidenti Biden ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë. Siç e them shpesh, Joe Biden ishte zëri ynë kur ne nuk kishim zë. Ai luftoi për ta kthyer vëmendjen drejt Kosovës kur të tjerët, gjithandej botës, nuk ishin të gatshëm të na përkrahnin në luftën tonë kundër diskriminimit sistematik dhe segregacionit, të kryera nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit. Joe Biden ishte avokat i zëshëm yni në Senat për ndërhyrjen e NATO-s, në vitin 1999, e cila i dha fund luftës dhe gjenocidit në Kosovë”, tha Osmani.
Në video-mesazhin e tij presidenti i SHBA-së Joe Biden ka thënë se familja e tij ndihet e nderuar pasi presidentja Vjosa Osmani ndau medalje për djalin e tij të ndjerë Beau Biden, i cili kishte shërbyer pas luftës në Kosovë.
“Faleminderit, presidentja Osmani! Unë jam këtu në sallën kryesore të Shtëpisë së Bardhë dhe me fëmijët e Beau-t. Nipërit e mbesat e mia Natalie dhe Hunter janë pikërisht atje, dhe ne vetëm duam të themi se kjo është e pabesueshme dhe dua të falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh për neve që ju kujtoni djalin tonë Beau. Puna e Beau-t në Kosovë ishte e çiltër, ai u dashurua me vendin tuaj, dhe unë kam fëmijët e tij me mua, nipërit e mbesat, Natalie dhe vëllai i tij Hunter, gjithashtu edhe motra e tij dhe e gjithë familja. Kjo do të thotë kaq shumë për ne, për të gjithë familjen. Pesë vjet më parë, unë solla Natalie dhe Hunter, gruan time Jill, dhe gjithë familja Biden në Kosovë për një ceremoni, ku u emërua një autostradë me emrin e Beau Biden para Kampit Bondsteel. Ishte shumë emocionuese për ne. Vetëm një vit pasi humbëm Beau-n, djalin tonë, pamë teksa nderohej kujtimi për të siç bënë të dy partitë politike, duke shkuar te Kampi Bondsteel, dhe mënyra se si ata folën për Beau-n. Duke e ditur se sa njerëz ka prekur, ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës, të cilët Beau i deshi aq shumë, kështu që ai besoi aq thellë në pavarësinë dhe demokracinë tuaj”, ka thënë Biden.
Për më tepër, presidenti amerikan ka folur edhe për kontributin e Beau Biden për popullin e Kosovës pas luftës.
“Si avokat në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, ai doli vullnetar për të shkuar në Kosovë, në Republikën e Kosovës për të mbështetur Pavarësinë tuaj dhe demokracinë tuaj të re, dhe mbi të gjitha sundimin e ligjit. Në atë kohë, Kosova ende mbante plagët e freskëta të luftës. Në një sistem drejtësie të zbrazur nga dekada të sundimit totalitar, Beau mund të shihte atë që ju mund të bënit, Beau mund të shihte edhe atëherë të ardhmen që ishte e mundshme për vendin tuaj krenar. E ardhmja që Kosovës i ishte mohuar prej kohësh. Kjo është arsyeja pse ai ishte aq i përkushtuar që të punonte me popullin e Kosovës për t’u siguruar që krimet e luftës të hetoheshin dhe të ndiqeshin profesionalisht, për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin e një sistemi të drejtë gjyqësor e të aftë për të sjellë drejtësi dhe pajtim të vendit pas gjithë kohës që Slobodan Millosheviq brutalizoi vendin tuaj. Beau ndihmoi në krijimin e programeve të trajnimit për gjyqtarët dhe prokurorët vendas. Kjo do të vendoste bazën për institutin gjyqësor të Kosovës, që tani është Akademia e Drejtësisë. Beau do të ishte i pari që do t’ju tregonte, pasi na tha se ai ishte vetëm një nga shumë njerëz të përkushtuar, të përkushtuar në detyrë, përfshirë shumë qytetarë krenarë të Kosovës”, tha Biden.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, duke pranuar medaljen presidenciale post-mortem për Beau Biden, ka shprehur besimin e tij se miqësia Kosovës-SHBA do të vazhdojë të forcohet akoma më shumë në të ardhmen.
“Amerikanët respektojnë dhe e çmojnë rrugën e Kosovës, sepse jemi në të njëjtën rrugë në bazë të mundësisë së barabartë dhe respektim të drejtave të njeriut kemi krijuar një partneritet që do të zgjasë shumë. Siç tha presidenti Biden, Kosova ka shënuar përparim krahasuar me atë që ka parë para 20 vjetësh. Amerikanët janë krenarë për rolin që kanë luajtur. E di që ju do të vazhdoni në ndërtimin e një shoqërie dhe paqen, dhe barazinë për të gjithë. Kam besim se në të ardhmen, miqësia ndërmjet Kosova dhe SHBA-së do të vazhdojë të përforcohet”, tha ambasadori Kosnett.
Beau Biden ndërroi jetë si pasojë e sëmundjes së kancerit në tru në vitin 2015. Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.
Ndryshe, kjo është hera e dytë që Kosova nderon djalin e presidentit amerikan. Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel.