Loading…

​Thellohet kriza e grurit në Kosovë

  • 26/02/2019 | 08:29

​Thellohet kriza e grurit në Kosovë

Gruri vendor po i mungon tregut edhe pse toka e plleshme bujqësore nuk mungon. Një ndër arsyet e këtij deficiti janë edhe kushtet e pavolitshme atmosferike vitin që shkoi, përfshirë edhe mungesën e reshjeve atmosferike që mbizotëroi gjatë vjeshtës.


Ani pse vlerësohet të jetë kulturë strategjike, gruri megjithatë nuk po kultivohet mjaftueshëm nga bujqit kosovarë. Ani pse Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) thotë se të mbjellat vjeshtore në 30 komuna arrijnë 50 mijë hektarë, të kundërtën e thonë bujqit.

Isuf Cikaqi, drejtor i departamentit të Politikave Bujqësore në MBPZhR, thotë se në vjeshtën e vitit që lamë pas, për shkak të kushteve klimatike fermerët e kanë pasur të pamundur të bëjnë përgatitjen e tokës për të mbjellë grurin.

Ai thotë se meqenëse ka ikur afati optimal, grurë është mbjellë edhe në dhjetor, por që edhe në këtë mënyrë nuk është arritur të sigurohet sasia e nevojshme.

Cikaqi thekson se në vitin 2018, bujqit kosovarë kishin mbjellë rreth 74 mijë hektarë grurë, prej të cilave janë korrur 73 mijë.

Ndërsa, sipas bujqve vitin që lamë pas është siguruar vetëm rreth 20 për qind e sasisë së nevojshme.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri bënë të ditur se në Kosovën e pasluftës nuk është arritur të punohet më shumë se 60 mijë hektarë nga toka e punueshme.

E mungesa e një infrastrukture adekuate për kultivimin e grurit, sipas tij, është arsyeja kryesore që ka rezultuar me rendimente të ulëta të grurit.

Tahiri thotë se duhet blerë grurin pasi që edhe verën e shkuar gruri doli me rendimente të ulëta, fillimisht për shkak të lagështisë të tepërt në pranverë, dhe më vonë për shkak të thatësisë.

Menaxheri i kompanisë “Thes Ari”, Bashkim Zenjullahu thotë se viti i kaluar ishte vit i dobët i prodhimit të grurit duke marrë parasysh thatësitë në kohën e pjekjes së grurit, të cilat kanë ndikuar negativisht edhe në kualitet.

Edhe kultivuesi i grurit, Zylfer Sadiku, thotë se klima specifike ka ndikuar në dobësimin e të mbjellave të grurit.

Ndërkaq, nga Dogana e Kosovës bëhet e ditur se që pas vendosjes së taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, Kosova ka importuar mbi 23 milionë kilogramë grurë, që kalojnë vlerën prej 5 milionë euro.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë