Loading…

​Hoti-Muratit: Mungesa e rezultateve të ka bërë agresiv

  • 26/05/2022 | 13:16

​Hoti-Muratit: Mungesa e rezultateve të ka bërë agresiv

Para deputetët të Kuvendit të Kosovës përsëri sot e mori fjalën ministri i Financave Hekuran Murati.


Ai tha se për marrëveshjen për reforma në asistencë sociale me Bankën Botërore deputetët e LDK-së duhet të diskutojnë mes vete pasi ndajnë qëndrime të ndryshme.

“Çështja e marrëveshjes për skemat e asistencë sociale me Bankën Botërore unë konsideroj se ju fillimisht ta diskutoni ndërmjet vete, sepse në njërën anë deputeti Hoti thotë se nuk miratojmë marrëveshje për transfere sociale kurse anën tjetër zotëri Zemaj thotë se kjo marrëveshje nuk është për transfere sociale, por për çështje tjera… U përmend çështja e Trustit, pra më tregoni se thatë që do të mbështeten familjet me asistencë sociale ata që punojnë pak e studentët e pensionistët. Sa (para) kanë në Trust familjet me asistencë sociale zero, sa ka trust një student? Zero ka Trust, një pension zero. Pra sa kanë (para në) Trust ata që punojnë me pagë minimale. Mund t’i kenë 100 euro”, tha ai.

Murati madje kërkoi një sqarim juridik nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri rreth vendimit të Apelit për energjinë elektrike.

“Më tregoni saktë i nderuar jurist deputeti Tahiri a është anuluar apo pezulluar vendimi, sepse ju thatë se është anuluar. Si jurist ju lutem tregoni se e keni merituar titullin dhe nuk e keni vetëm sa për sy e faqe”, tha ai.

Pas kësaj, Tahiri ia rikujtoi ministrit Murati se ai nuk është jurist me profesion, ndërsa shtoi se qytetarët me vendimin e Apelit nuk do ta paguajnë energjinë me tarifa të shtrenjta.

“Vetëm po të korrigjoj nuk jam jurist. E rëndësishme është që qytetarët nuk do t’i paguajnë tarifat e shtrenjta që i keni përcaktuar ju, me organin tuaj të quajtur ZRRE dhe bashkë me presidenten Osmani kjo është më e rëndësishmja që qytetarët nuk do t’i paguajnë energjinë elektrike me tarifat e vjetra. Tendenca për haraç në formë ligjore që në fund doli të jetë jo ligjore që t’iu shtrenjtohet rryma 450 mijë familjeve në Kosovë, sot i nderuar ministër Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Themelores për të mos implementuar vendimin”, tha ai.

Pas kësaj reagoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi i cili iu drejtua deputetit të PDK-së, duke i thënë se po përpiqet të shantazhojë me greva dhe protesta.

“Është hipokrizi e paprecedentë. Përsëri po na flet dhe po na lexon vendimet që nuk janë marrë ende nga gjykata. Kjo çështje e energjisë elektrike është fall. Ç’është e vërteta nuk qëndron, nuk ka vendim. Po flet për një masë të përkohshme”, u shpreh ai.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti u shpreh se është hera e parë që një ministër i Financave sjell në Kuvend një marrëveshje ndërkombëtare për të marr kredi për asistencë sociale. Ai tha se mungesa e rezultateve Muratin e kanë bërë agresiv.

“Është hera e parë që një ministër i Financave të sjellë në Kuvend një marrëveshje për të marrë kredi për asistencë sociale në kushtet kur nuk ka asnjë nevojë nuk mund ta krahasosh me vitin 2020, sepse ka pasur minus 6 milionë të hyra për shkak të mbylljes nga pandemia…Kam përshtypjen që mungesa e rezultateve të kanë bërë ministër shumë agresiv, ti ke qenë bashkëpunëtor imi”, tha ai.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë